𝗢𝗹𝗶𝘃𝗲𝗿𝗮 𝗝𝗮𝘀𝗵𝗮𝗿-𝗡𝗮𝘀𝘁𝗲𝘃𝗮
(1922 – 2000)

Gjuhëtare, ballkaniste, maqedoniste, leksikologe. Ka qenë anëtare e rregullt e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Ka lindur në Beograd. Shkollën fillore dhe të mesmen i ka kryer në Shkup, ndërsa ka maturuar në Beograd. Është e bija Emin Beut të Shkupit, i cili kishte marrë pjesë si përfaqësues i Klubit të Shkupit në Kongresin e Manastirit me të drejtë vote dhe mbesë e Jashar Beut, hartues i programit të Lidhjes së Prizrenit. Është diplomuar në Fakultetin e Filozofisë në Shkup (1949). Është doktoruar më 1962 me temën: “Elementet leksikore turke në maqedonishten”. Ka qenë një nga iniciatoret e themelimitë e katedrave të gjuhës shqipe dhe letërsisë dhe gjuhës turke dhe letërsisë në Shkup. Ka udhehequr Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Turke (1967) në Universitetin e Shkupit. Ka mbajtur edhe lëndët Gjuhë shqipe dhe Gjuhë turke. Ka qenë anëtare e rregullt e ASHAM (1983) dhe anëtare e Akademisë së Shkencave të Turqisë (1979). Ka trajtuar tema nga interferencat gjuhësore, gjuhët në kontakt, lidhjet gjuhësore etj., të gjitha të analizuara sipas metodave më bashkëkohore të studimit të gjuhësisë. Ka botuar mbi 150 kumtesa e referate nëpër shumë simpoziume e kongrese. Ka mbajtur ligjërata në: Napoli, Paris, Krakov, Moske, Ankara, Çikago etj. Ndihmsë të madhe ka dhënë në fushën e morfologjisë dhe leksikologjisë të gjuhëve ballkanike.