Deputeti i PD, Ervin Salianji ka folur pas shtyrjes së seancës në gjykatën e Apelit.

Në një prononcim për mediat, Salianji tha se është manipuluar procesi me një dëshmitar të rremë. Salianji tha se është i sigurt që do të ketë një vendimmarrje për pafajësi.

Ai u pyet nga gazetarët nëse do e pranoje vendimin e gjykatës nëse dënohet me burg?

“Çfarë do bëj do hidhem përpjetë, do e zbatoj. Po u them faktin që të gjithë ose janë larguar nga vettingu ose kanë dhënë dorëheqjen. Sot ato që kanë marrë vendim nuk janë në sistemin gjyqësor. Jam i sigurt se do të ketë një vendimmarrje për pafajësi”, tha Salianji.

Ervin Salianji tha se mbështetja që ka marrë nga përfaqësues të Partisë Demokratike të rreshtuar krah zotit Berisha në konfliktin e brendshëm në PD është diçka normale për të.

“Nuk kam bërë ftesa se unë nuk kam qenë në dasmë. As nuk përjashtoj njeri dhe as nuk ftoj njeri. Gjithsecili e ndjen vetë si përgjegjësi politike sesi pozicionohet. Kanë qenë në seancën gjyqësore të shkallës së parë. Kanë pasur qëndrime publike. Nuk besoj se ka ndonjë ndryshim apo marrëveshje të tjera të bëra nga ish-drejtuesi i Partisë Demokratike. Por për rastin në fjalë, apo nëse ka ndryshim qëndrimi, duhen pyetur ata. Unë këtu jam dhe do të flas siç kam folur gjithmonë”, tha Salianji për mediat, pas përfundimit të seancës së parë të çështjes “Babale”.

Përveç se disa deputetë dhe funksionarë të tjerë të PD, në mbrojtje të Salianjit doli këtë mëngjes edhe kryetari Sali Berisha, i cili tha se deputetit të PD duan t’i heqin mandatin duke i dhënë një dënim të formës së prerë.