Dy vëllezër janë konfliktuar me njëri-tjetrin në zonën e plazhit në Radhimë të Vlorës. Bëhet fjalë për vëllezërit Beniamin Kondi dhe Eduart Kondi, pronarë të një plazhi në zonën e Radhimës, të cilët janë konfliktuar për administrimin e tij.

Sipas policisë, konflikti ka degraduar duke nxjerrë armën dhe Beniamini ka shtënë në drejtim të vëllait të tij Edison. Fatmirësisht nuk ka të plagosur, por kjo ngjarje ka ngjallur frikë dhe panik te pushuesit që ishin duke pushuar në atë moment.

Ngjarja ka ndodhur në një lokal në plazh, mes kilometrit 7-8 në aksin Vlorë-Radhimë. Dëshmitarët okularë tregojnë se personi që ka shtënë ka ardhur nga parkingu i plazhit.

“Sot, rreth orës 12:30, në Radhimë, në afërsi të plazhit, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se një shtetas ende i paidentifikuar, ka qëlluar me armë zjarri. Po kryhen verifikime nga shërbimet e Policisë, nëse ka persona të dëmtuar. Janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për kapjen e autorit”, njoftoi policia.

Mësohet se lokali buzë detit ishte në pronësi të vëllezërve Kondi. Njëri prej tyre – i cili mësohet se sapo ishte kthyer nga Anglia – raportohet se ka ardhur nga parkimi drejt lokalit dhe ka qëlluar në drejtim të vëllait. Ndërkohë, një tjetër vëlla i tyre mësohet se është duke vuajtur dënimin me burg si i përfshirë në një vrasje.

“Të gjithë vrapuam, kisha frikë”, turisti norvegjez rrëfen përjetimet pas të shtënave me armë zjarri në Radhimë

Të shtënat me armë zjarri i ka dëgjuar dhe një turist norvegjez që kishte zgjedhur Radhimën për të pushuar së bashku me familjen e tij. Ai tha pwr mediat se në momentin që janë dëgjuar krismat të gjithë kanë vrapuar teksa ka treguar dhe ndjesitë e tij.

Turisti norvegjez: Ne dëgjuam 2-3 të shtëna dhe të gjithë vrapuam. Nuk e di nëse dikush është lënduar sepse nuk pamë asgjë. Kishte frikë, jam me familjen këtu.

Po ashtu, pushuesit shqiptarë të gjendur në këtë plazh në momentin e ngjarjes kanë treguar më shumë detaje

“Shumë të shtëna janë dëgjuar, mbi 5-6 herë. Njerëzit u larguan dhe ikën me vrap. Unë kisha vajzën dhe djalin dhe ikëm me vrap, kurse të tjerët u fshehën këtu pas lokalit. Unë deri këtu nuk dëgjova gjë se a pati persona të lënduar. Në atë moment kishte shumë njerëz në plazh.”