A do ta bëni vaksinën live? Ishte kjo një nga pyetjet që u shtrua nga gazetarët këtë të enjte gjatë një bashkëbisedimi me kryeministrin Edi Rama.

Por kreu i qeverisë tha se kjo gjë nuk është diskutuar ende dhe do të shikohet në momentin e duhur.

“Sa i përket pastaj vaksinimit tim live apo me regjistrim, kjo është një çështje që nuk është problem, do ta shikojmë në momentin e duhur”, tha Rama.

Më herët, kreu i qeverisë tha se vaksinimi kundër Covid-19 në vendin tonë do të nisë brenda dy muajve të parë të vitit të ardhshëm.

“Kam folur për 2 muajt e parë të vitit të ardhshëm, nuk dua të jap më shumë të dhëna sot, sepse nuk janë të konfirmuara 100 përqind. Kështu që mund të jetë edhe më shpejt, mund të jetë edhe pak më vonë, por brenda 2 muajve të parë të vitit të ardhshëm këtu do të fillojë vaksinimi dhe pastaj nuk do të kemi asnjë problem, sepse kalendari i ardhjes së dozave është një kalendar me volume që rriten”.

Kryeministri tha se mes shteteve po bëhet një luftë e madhe për të marrë sa më shumë vaksina, njësoj siç bëhej dikur me radhën e qumështit.

“Ajo që dua të theksoj është se për fat të keq edhe në çështjen e vaksinës është më shumë se kurrë diplomaci, marrëdhënie personale, miqësi, komunikime, kontakte, domethënë është realisht një luftë e madhe që po bëhet sot prapa kuintave nga të gjitha shtetet për të mundur të kenë sasi sa më të mëdha dhe është realisht si radha e qumështit si kohët e dikurshme, ku në vend të banorëve që zbrisni poshtë pallatit dhe vinin shishet atje, janë shtetet”.

Megjithatë Rama siguroi shqiptarët se nuk do të mbeten pa marrë vaksinën.

“Por unë i them të gjithëve që të jenë të qetë, sepse siç e ke kemi treguar edhe më parë, kur është puna për të bërë lypësin për Shqipërinë, besoj se dimë ta bëjmë më mirë se çdokush tjetër”.