Me nisjen e sesionit te ri parlamentar, Kuvendi pritet të nisë  procedurat për riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që sipas marrëveshjes së 5 qershorit, pritet të jetë një organ me tre trupa vendimmarrëse.

Për këtë arsye, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u ka dërguar një letër krerëve të grupeve parlamentare. Pra, një fillim pune me rend të paracaktuar sipas një pakti të rënë dakord këtu e tre muaj më parë.

Ajo që pritet të ketë interes në këtë periudhe të re politike që i paraprin fushatës së ardhshme është sërish ndërhyrja në Kodin Zgjedhor për pasqyrimin e ndryshimeve kushtetuese që hapin listat të paktën në dy të tretat e tyre.

Pyetja që lind është; A do të jetë sërish Këshilli Politik që do të merret me këtë proces?

Komisioni për reformën zgjedhore e ka mbaruar mandatin e saj më 30 qershor 2020 dhe sipas burimeve paraprake nga dy partitë e mëdha gjithçka pritet të qartësohet me një vendim të ri në Kuvend.

Pra, nëse do të kemi zgjatje të mandatit të komisionit (e për pasojë Këshillit të ngritur vetëm për të përfshire opozitën jashtë Kuvendit)  apo kësaj here ndryshimet kushtetuese do t’i besohen zgjidhjes që do të japë komisioni i Ligjeve (siç edhe po përflitet) përmes ngritjes së një grupi të posaçëm.

Modalitetet pritet të qartësohen shpejt, ndërsa për herë të parë po diskutohet mundësia që implementimi i ndryshimeve kushtetuese të ndiqet në rruge parlamentare përmes një grupi të posaçëm.

Vetë ndryshimet kushtetuese pritet te hapin një kapitull të ri diskutimesh mes PS-së e PD-së duke filluar nga koalicionet.

Opozita ka këmbëngulur lista të hapura kandidatësh, por me ruajtjen e skemës aktuale të koalicioneve që do të thotë se, partitë politike, pjesëtare të një koalicioni, duhet të paraqiten në zgjedhje me listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore.

Me heqjen e koalicioneve në Kushtetutë dhe hapjen e listave, formula sa më sipër ka rëndë ndaj dhe palët i janë rikthyer diskutimit të mbyllur qysh prej vitit 2001, për modelin e listës së përbashkët dhe jo listës së përbërë.

Kjo skemë do të ndryshojë në detaje mënyrën e llogaritjes së mandateve e deri financimin e partive që në Kod është i bazuar tek fuqia elektorale që kanë, me të drejtën për të pasur më pas edhe komisionerë.

Kalojmë pastaj tek listat e hapura. Sa do të jetë? 100% siç e kërkon PD-ja apo me raportin aktual (2/3 nga populli dhe 1/3 nga partia) që parashikon Kushtetuta, me propozim të socialistëve.

Në funksion të kësaj do të duhen rikonceptuar jo vetëm koalicionet e ardhshme (psh nëse PD do të dalë me LSI me listë unike, apo të ndarë) e deri tek fleta e votimit në mënyrë që të bësh bashkë votën për partinë dhe votën për kandidatin.