Komiteti drejtues i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë ka bërë kërkesë për mbledhje të jashtëzakonshme të asamblesë së përgjithshme.

Kërkesa u është bërë drejtuesve të 15 bashkive në vend, nga Volta Ademi, kryetare e Bashkisë së Shkodrës, deri te Gentian Picari i Bashkisë Vorë.

Mbledhja është parashikuar të mbahet me 8 qershor, në orën 10:00, ku në rend të ditës pritet të jetë zgjedhja e kryesisë së re të shoqatës, si dhe zgjedhja e organeve të tjera drejtuese të shoqatës.

Në arsyetim thuhet se kjo kërkesë vjen në një moment kur, “më datë 23 Qershor 2021, ora 10:00 është vendosur të zhvillohet seanca gjyqësore pranë Gjykatës Kushetuese të Republikës së Shqipërisë, me subjekt kërkues Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me objekt “1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve. 2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019”. Si dhe, mandati i përfaqësimit 4-vjeçar i kryetares së shoqatës Z. Voltana Ademi ka përfunduar e si rrjedhojë përfaqësimi i shoqatës nga Kryetarja Z. Voltana Ademi nuk është më legjitim, me qëllim mbrojtjen e interesave të shoqatës së Bashkive të Shqipërisë gjatë përfaqësimit në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

Pak ditë më parë, analisti Afrim Krasniqi paralajmëroi një zhvillim të tillë, duke thënë se “po tentohet të ndryshohen drejtuesit e shoqatës së bashkive në mënyrë që të tërhiqet padia për zgjedhjet e 2019-ës”. “Nëse kjo është vijë zyrtare dhe nëse vërtetë ky akt përfundon në Gjykatën Kushtetuese me tërheqjen e padisë dhe ndryshimin e pozicionit, atëherë ky vend ka prekur fundin. Kur prek fundin nuk ka rëndësi se kush është president apo kryeministër, as kryetar i Kushtetueses”, u shpreh më 24 maj Afrim Krasniqi.