Teksa ndodhej në Durrës gjatë në një takim me mësuesit e shkollës “Leonik Tomeo” për masat anti-Covid, kryeministri Edi Rama i bëri thirrje nxënësve që të kenë kujdes edhe jashtë ambienteve të shkollave. Gjithashtu ai u kërkoi të rinjve që të refuzojnë teoritë konspirative për sëmundjen, pasi e vërteta është që Covid po shkakton çdo ditë viktima në vendin tonë

Rama tregoi rastin e vëllait të shokut të tij, i cili e humbi betejën me koronavirusin. Rama tha se e njihte personalisht dhe ai ishte i ri.

“Jo më larg se dje unë dëgjova për një person që e kam njohur personalisht, vëllai i një shokut tim që humbi jetën e nuk ishte në një moshë shumë të madhe, ishte i ri.

Askush nuk e përcakton dot deri në fund se si dhe pse virusi bën gjëmën tek dikush dhe shfaqet në mënyrë komplet të padukshme te dikush tjetër.

Problemi është që shumë nga ne mund ta marrin e se marrin vesh që e kanë, s’ndiejmë asgjë, vazhdojmë jetën normalisht, e prandaj duhet të sillemi sikur e kemi virusin se ia kalojmë familjarëve, miqve e shokëve.

“Duhen refuzuar teoritë që ky është një grip i thjeshtë, teori konspirative etj sepse çdo ditë njerëzit po ndahen nga jeta. Tani kemi trend të stabilizuar, por çdo ditë kemi fatalitete. Numri i fataliteteve nuk është në tërësinë e vet më i madh në mënyrë të ndjeshme seç ka qenë vitin e shkuar në aspektin e goditjeve vdekjeprurëse nga sëmundjet, por kjo nuk do të thotë asgjë nëse ky rrezik të vjen në shtëpi”, tha Rama.

“Ky vit shkollor do të jetë në këto kushte. E kuptoj që është e vështirë”, shtoi Rama duke pasur parasysh vendosjen e maskës me orë të tëra, apo temperaturat e larta.