Sali Berisha e quajti “blof” kërkesën e disa anëtarëve të grupit parlamentar të PD që ai të tërhiqet, pas vendimit të Lulzim Bashës për t’u dorëhequr nga drejtimi i partisë.

“Me blofin nuk mund të luhet. Me blofin luan sot vetëm një dyshe që kalon nga një studio, në studion tjetër, dyshja Baton Stanisiç-Preç Zogaj, që mbush xhepat nga Endri Fuga”, tha Berisha për gazetarët para Parlamentit.

Gjithsesi ai tha se pas largimit të Bashës, palët e ndara në PD duhet të angazhohen në dialog. “Së pari dua të garantoj demokratët e të gjitha niveleve se PD është e hapur dhe vullnetplotë për të diskutuar, debatuar me çdo anëtar të saj, cilido qoftë ai. Jemi të hapur të bëjmë gjithçka për garantimin e votës së lirë dhe bashkimin rreth votës së lirë. Nuk bëhet fjalë më për një kryesi pasi ajo është shkarkuar me vendimin e kongresit historik të 11 dhjetorit, por kjo nuk do të thotë se fjala e demokratëve, cilido qoftë ai nuk do të dëgjohet dhe nuk do të përfillet”, tha Berisha.

“11 dhjetori e mori sanksionimin më të plotë e mori më 6 mars. Ajo që unë dua t’iu siguroj është se PD ka institucionin e saj tashmë operativ dhe të plotë, grupin parlamentar dhe komisionin e rithemelimit, por brenda grupit mund të diskutohet çdo gjë që parlamentarët e gjykojnë të arsyeshme. Bashizmi ishte doktrinë e dhunimit të statutit, institucioneve, parimeve të partisë. Ai u arkivua së bashku me dorëheqjen e Lulzim Bashës. Askush nuk mund të mendojë, të paraqesë sikur ekzistojnë dy PD, ka vetëm një PD”, tha Berisha.