Nga Joseph S. Nye

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po hyjnë në fazën kryesore të fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2020, teksa asnjë nga kandidatët në konventat përkatëse të pranimit të kandidaturës nuk ka folur shumë mbi politikën e jashtme, gara midis presidentit Donald Trump dhe kandidatit tjetër Joe Biden do të zhvillohet, mesa duket, kryesisht në fushën e çështjeve të brendshme. Megjithatë, në planin afatgjatë, historianët do të pyesin nëse presidenca e Donald Trump përfaqësonte një pikë kthese domethënëse përsa i takon rolit të Amerikës në botë apo ishte thjesht një “aksident” i vogël historik.

Në këtë fazë, përgjigjja nuk dihet, pasi ne nuk e dimë nëse Trump do të rizgjidhet si president. Libri im “Do Morals Matter”? rendit 14 presidentët amerikanë që nga viti 1945 dhe i jep Trump-it një notë zyrtare “të paplotë”, por, për momentin, ai renditet në katërshen e fundit.

Presidentët e katërshes më të mirë si Franklin D. Roosevelt i pranuan gabimet e izolimit të Amerikës në vitet 1930 dhe pas vitit 1945 krijuan një rend ndërkombëtar liberal. Një pikë kthese ishin vendimet e pas luftës të presidentit Harri S. Truman, që çuan në aleancat e qëndrueshme që kanë zgjatur deri më sot. Shtetet e Bashkuara investuan shumë në Planin Marshall në vitin 1948, krijuan NATO-n në vitin 1949 dhe drejtuan një koalicion ushtarak nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara që luftoi në Kore në vitin 1950. Në vitin 1960, gjatë administratës së Dëight D. Eisenhower, SHBA-ja nënshkroi një traktat të ri sigurie me Japoninë.

Gjatë dekadave, amerikanët kanë përjetuar përçarje të forta – midis tyre dhe me vendet e tjera – mbi ndërhyrjen ushtarake në vendet në zhvillim si Vietnami dhe Iraku. Por rendi institucional liberal vazhdoi të gëzonte mbështetje të gjerë deri në zgjedhjet e vitit 2016, kur Trump u bë i kandidati i parë i një partie të madhe që e sulmoi këtë rend. Trump ishte gjithashtu shumë skeptik në lidhje me ndërhyrjet e huaja ushtarake dhe ndërkohë që e ka rritur buxhetin e mbrojtjes, ai e ka përdorur  me kursim forcën ushtarake.

Anti-ndërhyrja e Trump-it është relativisht e njohur, por vizioni i tij i ngushtë dhe transaksional i interesave të SHBA-së, si dhe mosbesimi i tij ndaj aleancave dhe institucioneve shumëpalëshe, nuk reflektojnë mendimin e shumicës. Që nga viti 1974, Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale, e ka pyetur publikun nëse Amerika duhet të marrë pjesë në mënyrë aktive apo të mos përzihet në çështjet botërore. Gati një e treta e publikut amerikan ka qenë vazhdimisht pro qëndrimit larg tyre, duke arritur kulmin me 41 për qind në vitin 2014. Megjithatë, 64 për qind ishin pro përfshirjes aktive në problemet botërore deri në zgjedhjet e vitit 2016 dhe shifra u rrit në një 70 për qind në vitin 2018.

Zgjedhja e Donald Trump si president dhe apeli i tij populist mbështetej te zhvendosjet e vendeve të punës nga SHBA-ja jashtë vendit, që u theksuan më shumë nga Recesioni i Madh i vitit 2008, por edhe më shumë për shkak të polarizimit të ndryshimeve kulturore në lidhje me racën, rolin e grave dhe identitetin gjinor. Edhe pse nuk fitoi votën e popullit në vitin 2016, Trump e lidhi me sukses pakënaqësinë e të bardhëve me rritjen e dukshmërisë dhe ndikimit të pakicave racore dhe etnike me politikën e jashtme, duke bërë përgjegjëse për pasigurinë ekonomike dhe amullinë e pagave marrëveshjet e këqija tregtare dhe emigracionin. Megjithatë, si president, sipas ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare John Bolton, Trump kishte pak strategji dhe politika e tij e jashtme diktohej kryesisht nga politika e brendshme dhe interesat e tij personale.

Pak para se Trump të merrte zyrtarisht detyrën, Martin Wolf i “The Financial Times” e përshkroi momentin si “fundin si të një periudhe ekonomike – atë të globalizimit të udhëhequr nga Perëndimi – si dhe të një epoke gjeopolitike, të “momenti unipolar” të pas Luftës së Ftohtë të një rendi global të udhëhequr nga Amerika” Në atë rast, Trump mund të vërtetohet se është një pikë kthese në historinë amerikane dhe botërore, sidomos nëse rizgjidhet. Tashmë apeli i tij elektoral mund t’i kthehet politikës së brendshme, por efekti i tij në politikën botërore mund të jetë transformues.

Debati aktual mbi Donald Trump-in ringjall një pyetje të vjetër: A janë rezultatet kryesore historike produkt i zgjedhjeve të liderëve politikë, apo ato janë kryesisht rezultat i forcave sociale dhe ekonomike, që janë përtej kontrollit të ndokujt? Ndonjëherë, historia i ngjan një lumi të vrullshëm, rrjedha e të cilit formohet nga reshjet dhe topografia, dhe ku udhëheqësit janë thjesht milingona të kapura pas një trungu që pluskon mbi rrymën e lumit. Për mendimit tim, ata ngjanë më shumë si praktikues të raftingut që drejtojnë varkën dhe u shmangen shkëmbinjve, herë pas here duke u përmbysur në lumë, por duke arritur ndonjëherë ta drejtojnë varkën drejt një destinacioni të dëshiruar.

Për shembull, Roosevelt nuk qe në gjendje ta fuste SHBA-në në Luftën e Dytë Botërore deri në momentin që japonezët sulmuan Pearl Harbor-rin, por mënyra se ai e vlerësonte kërcënimin që vinte nga Hitleri  dhe përgatitjet e tij për t’u përballur me atë kërcënim ishin tepër të rëndësishme. Pas Luftës së Dytë Botërore, përgjigja e Shteteve të Bashkuara ndaj ambicieve sovjetike mund të kishte qenë shumë ndryshe, nëse president do të kishte qenë Henry Wallace dhe jo Truman-i. Pas zgjedhjeve të vitit 1952, një administratë izolacioniste e Robert Taft apo një presidencë agresive si ajo e Douglas MacArthur mund të kishte prishur konsolidimin relativisht të qetë të strategjisë së kontrollit të Truman-it, që u përforcua nga Eisenhower-i.

John F. Kennedy ishte vendimtar në shmangien e një lufte bërthamore gjatë Krizës Kubane të Raketave dhe më pas me nënshkrimin e marrëveshjes së parë të kontrollit të armëve bërthamore. Por ai dhe Lyndon B. Johnson e zhytën vendin në fiaskon e panevojshme të Luftës së Vietnamit. Në dekadat e fundit të shekullit XX, forcat ekonomike shkaktuan dobësimin e madh të Bashkimit Sovjetik dhe veprimet e Mikail Gorbaçovit e përshpejtuan kolapsin e bllokut sovjetik. Por rindërtimi i mbrojtjes amerikane dhe aftësia negociuese e Ronald Reagan-it, por edhe aftësia e George H. W. Bush në menaxhimin e krizave, luajtën një rol të rëndësishëm në fundin paqësor të Luftës së Ftohtë, me një Gjermani të ribashkuar në NATO.

Pra, udhëheqësit dhe aftësitë e tyre kanë rëndësi dhe nënkupton gjithashtu se Trump nuk mund të shpërfillet lehtë. Më të rëndësishme sesa postimet e tij në Twitter janë dobësimi i institucioneve, aleancave dhe pushtetit të butë të Amerikës, që sondazhet tregojnë se ka rënë që nga viti 2016.

Aftësitë makiaveliane dhe organizative janë tepër të rëndësishme për presidentë të suksesshëm amerikanë, por e tillë është edhe e inteligjenca emocionale, e cila çon në vetë-ndërgjegjësim, vetëkontroll dhe analizë të thellë kontekstuale, të cilat nuk shihen te Trump-i. Pasardhësi i tij, qoftë në vitin 2021 apo në vitin 2025, do të përballet me një botë të ndryshuar, pjesërisht për shkak të personalitetit dhe politikave idiosinkretike të Trump-it. Se sa i madh do të jetë ky ndryshim, kjo do të varet nga fakti nëse Trump është një president me një apo me dy mandate. Pas 3 nëntorit do të mësojmë nëse jemi në një pikë kthese historike në fundin e një aksidenti historik.