Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger deklaroi se Ukraina duhet t’i lëshojë territor Rusisë, në mënyrë që lufta të marrë fund.

Deklaratën, Kissinger e dha gjatë një fjalimi në Forumin Ekonomik të Davosit të hënën. Sipas tij, shumica e ukrainasve janë kundër luftës, e cila tashmë po hyn në muajin e katërt.

Kissinger u kërkoi Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit të mos kërkojnë një humbje të turpshme për Rusinë në Ukrainë, duke paralajmëruar se kjo mund të përkeqësojë stabilitetin afatgjatë të Europës.

Ai i kërkoi Perëndimit që të detyrojë Ukrainën që të pranojnë negociatat me një “status quo ante”.

“Negociatat duhet të fillojnë në dy muajt e ardhshëm përpara se të krijojë trazira dhe tensione që nuk do të kapërcehen lehtë. Në mënyrë ideale, vija ndarëse duhet të jetë një kthim në status quo ante,” tha Kissinger.

“Status quo ante” i përmendur nga Kissinger, i referohet rivendosjes së situatës para luftës, në të cilën Rusia kontrollonte zyrtarisht Krimenë dhe joformalisht dy rajonet më lindore të Ukrainës, Luhansk dhe Donetsk.

Ish-sekretari amerikan i shtetit i kërkoi gjithashtu qeverisë amerikane të shmangë konfliktet me Kinën për Tajvanin. “Konfrontimi i drejtpërdrejtë (SHBA dhe Kina) mbi Tajvanin duhet të shmanget”, tha Kissinger.

“Shtetet e Bashkuara dhe Kina duhet të arrijnë një marrëveshje në vitet e ardhshme se si të ndërtojnë një marrëdhënie afatgjatë,” shtoi ai. “Në thelb të negociatave, është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara dhe Kina të diskutojnë parimet që nuk provokojnë rivalitet, në mënyrë që të krijojnë hapësirë ​​për bashkëpunim. Është e rëndësishme për paqen e përgjithshme në botë që Shtetet e Bashkuara dhe Kina të zbutin rivalitetin e tyre.”

Biden konfirmoi dje nga Tokio se Shtetet e Bashkuara do të mbronin ushtarakisht Tajvanin nëse Pekini pushton ishullin. Kina u përgjigj duke i kërkuar presidentit amerikan të mos “nënvlerësojë vendosmërinë e tij të fortë” për të “mbrojtur sovranitetin e saj”.