I pyetur nëse është penduar që ka prishur marrëveshjen me PD-në në 2013, Ilir Meta tha se marrëveshja u deklarua e mbyllur pas 4 vitesh bashkëqeverisje, duke thënë se nuk ka pendesë në këtë drejtim.

Këtë deklaratë, kreu i Partisë së Lirisë e bëri gjatë konferencës me Berishën pas firmosjes së marrëveshjeve për zgjedhjet vendore.

“Lidhur me marrëveshjen e 2013, ish-LSI përfshirë dhe Ilir Metën nuk kanë prishur asnjë marrëveshje. Kur erdhi fundi i marrëveshjes, para se të niste fushata, u deklarua një marrëveshje që e kishte mbyllur rolin e saj. Nuk ka ndonjë pendesë në këtë drejtim. Sa i takon të gjitha vendimeve të ish-LSI, të gjitha kanë qenë në interes të integrimit europian të vendit. Pasi qeverisja e Nanos u bë pengesë e integrimit, LSI dha një rol të rëndësishëm në 2005. Berisha firmosi MSA-në që ishte bllokuar dhe sot jemi këtu ku jemi për shkak të pengmarrjes që i ka bërë Rama shtetit. Edhe vendimet e tjera kanë qenë për vullnetin e mirë për të zhbllokuar të tilla situata. Edhe në 2013 marrëveshja me Ramën ka qenë për të votuar 3 ligjet që mbanin peng integrimin, pasi mendova që në këtë mënyrë kontribuonim për të zhbllokuar këtë proces”, u shpreh Meta.

Meta tha më tej se lajmi që qarkulloi se i ka propozuar kryedemekratit Sali Berisha, emrin e tij për të kandiduar për kryetar të Këshillit të Bashkiak të Tiranës, ka dalë nga qeveria e Edi Ramës.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Berishën, Meta u shpreh se të dyja forcat politike kanë shumë emra të sprovuar dhe të jashtëzakonshëm në mbrojtje të interesit publik.

“Se çfarë del nga korridoret e Fugës, kjo nuk është një përgjegjësi e jona. Por koha e bunker bashkive ka përfunduar njëherë e përgjithmonë. Kanë falimentuar shumica e bashkive, ndërkohë që kishte 100% të pushtetit. Sa i takon emrave që ju keni merak, në çdo rast, siç e tha edhe doktori, nuk do të ketë persona hije, as të qeverisë dhe as të bashkisë.

Do jenë garant të llogaridhënies dhe padiskutim që kemi shumë emra të sprovuar dhe të jashtëzakonshëm në mbrojtje të interesit publik”, theksoi ai.

Mesditën e sotme, Meta dhe Berisha firmosën marrëveshjen për zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të ardhshëm.