Kryenegociatori i palës shqiptare në bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Europian, Zef Mazi dhe deputetja Rudina Hajdari u përplasën në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit nëse Shqipëria i ka plotësuar apo jo kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Zef Mazi mendon se po.

“Në 5 qershor Këshilli politik përfundoi draftin, u arrit marrëveshja ndërpartiake. Ndryshimet në Kod adresojnë rekomandimet e OSBE-ODIHR. Gjykata Kushtetuese ka 7 anëtarë. Emërimi i 3 kandidatëve mundësoi funksionimin e një prej dhomave të Gjykatës së Lartë. SPAK dhe BKH është plotësisht funksionale. Lufta kundër korrupsionit është shënuar progres”, deklaroi Zef Mazi.

Mazi foli në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, organ që drejtohet nga deputetja Rudina Hajdari. Vetë Hajdari nuk mendon si Zef Mazi. Ajo thotë se vendi ka bërë hapa pas, duke përmendur përgjimet e fundit të anti-mafias italiane, që i cilësoi si test për SPAK-un dhe që tha se cenojnë imazhin e Shqipërisë në BE.

“Integrimi ka bërë hapa pas dhe ne duhet të jemi realist. Ajo çfarë mbetet për t’u parë me vëmendje sidomos nga ana e SPAK përgjimet e fundit që kanë dalë në pah ditët e fundit që tregojnë për një aferë të shëmtuar korruptove që ka të bëjë me implikimin e zyrtarëve të lartë të qeverisë me një nga mafiat më serioze, ku përflitet për shumë persona të implikuar. Dalja në pah e përgjimeve tregon që ne jemi shumë pas për integrimin e BE, ka shumë shpresa në një drejtësi të re në funksionin e drejtësisë së re, sidomos SPAK për t’i marrë këto çështje dhe për t’i çuar deri në fund,

Hajdari tha gjithashtu se krimi i organizuar, sidomos në Elbasan, Shkodër dhe Vlorë mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.

“Kam frikë se krimi i organizuar do të kapë zgjedhje dhe do jetë tereni shumë i vështirë sidomos në qarqet kur krimi i organizuar është problem si Elbasani, Shkodra, Vlora”, tha ajo.

Ky qëndrim i Rudina Hajdarit u interpretua si qëndrim i njëanshëm për interesa politike nga ana e deputetes socialiste, Vasilika Hysi.

“Ky Këshill duhet të ruajë atë profil përtej interesave partiake. Ndoshta duke qenë deputete e re dhe nuk jeni e familjarizuar me rolin dhe detyrat që ka ky Këshill, por kjo nuk do të thotë që duhet abuzuar me këtë Këshill”, deklaroi Hysi.