Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Xhafer Gashi ka deklaruar se AAK-ja nuk do të bëjë një koalicion parazgjedhor me asnjë parti dhe se do të futet e vetme në zgjedhje.

Në një intervistë për KosovaPress, zoti Gashi u shpreh se qëndrimi i Këshillit Drejtues është që  AAK-ja të garojë e vetme në zgjedhje.

“Tani mbetet të shihet verdikti i Gjykatës, verdikti përfundimtar dhe besoj që subjektet janë përgatitur që të shkojnë në zgjedhje. Aktualisht qëndrimi i këshillit drejtues të AAK-së është që të rrugëtojë vet, Aleanca pas zgjedhjeve do të shohim pastaj se si do të zhvillohet.. jo (nuk do të ketë koalicion parazgjedhor)”, deklaroi Gashi.

Ky i fundit theksoi më tej se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka nxjerrë kryetarin e saj, Ramush Haradinaj si kandidat për president, pasi e kanë vlerësuar të denjë për atë pozitë, duke vlerësuar edhe të kaluarën e tij.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në këtë rast kryesia e Këshillit Drejtues e ka nxjerrë një propozim, kandidat që ne e vlerësojmë që është i denjë për të udhëhequr me vendin dhe duke e llogaritur edhe të kaluarën e tij dhe njëherë për njëherë subjektet e tjera nuk kanë ofruar një kandidat”, u shpreh Gashi.