Qepenat e ulur të agjencive turistike kanë krijuar një situatë të zymtë buzë rrugëve të Tiranës.

Kufizimet e lëvizjeve dhe kriza ekonomike që ka sjellë COVID-19 ka bërë që një pjesë e agjencive, të cilat merren me organizimin e rezervimeve për të huajt që vijnë në Shqipëri apo për shqiptarët që shkojnë jashtë vendit të mbyllin aktivitetin e tyre.

Edhe ato agjenci të cilat ende janë të hapura, thonë se po i rezistojnë tregut të punës me vështirësi.

Këtë e pasqyrojnë qartë edhe zyrat e agjencive turistike, të cilat kanë mbetur të boshatisura.

Nëse para pandemisë në këtë agjenci ishin çdo ditë rreth 30 punonjës, tashmë në të kanë mbetur më pak se pesë.

Operatori turistik Besnik Vathi pohon se thuajse në të gjitha agjencitë situata është e njëjtë. Ai tregon se rezervimet e të huajve drejt Shqipërisë kanë rënë në shifra të frikshme.

“Nëse bëhet fjalë për rezervimet e të huajve drejt Shqipërisë, ne si tour operatorë, vjet kemi pasur charter nga Izraeli dhe turistë të tjerë të ardhur me fluturime të ndryshme ndërkombëtare, deri tani numri i tyre është zero. Pra bëhet fjalë për rënie drastike”, shprehet Besnik Vathi.

Edhe pse shteti turk lejon lëvizjen e lirë të shqiptarëve drejt tij, rezervimet në krahasim me vitin e kaluar kanë rënë ndjeshëm.

“Rezervimet janë minimale, nëse marrin një aktivitet p.sh, le të themi lëvizjet drejt Antalias, në total nga Shqipëria çdo vit niseshin 30 fluturime në javë, këtë vit janë 4, edhe këto gati 70% mbushen, 39% janë bosh, pra bëhet fjalë për një rënie 10 herë më pak sesa çdo vit”, tha z. Vathi.

E njëjta panoramë është edhe në agjencitë më të vogla turistike, administratorja Fjorida Zani pohon se këto kohë e ka menduar edhe mbylljen e aktivitetit.

“Ka shumë momente që mendoj që do t’a mbyll sepse shpenzimet janë të mëdha dhe nuk përballohen me ato pak bileta që ne presim apo ato pak rezervime që bëjmë brenda vendit”, u shpreh znj. Zani.

Rezervimet e pakta për këto agjenci vijnë kryesisht nga shqiptarët të cilët kanë mbetur jashtë gjatë pandemisë.

Rezervimet në ulje sipas operatorëve turistikë nuk kanë ardhur vetëm si pasojë e kufizimeve të lëvizjeve, por edhe si pasojë e frikës që kjo pandemi ka sjellë tek individët.

“Ne po shohim moshat që po lëvizin janë moshat e guximshme, ato që rrezikojnë. Po njerëzit tani nuk kanë as para të lëvizin”, shprehet Besnik Vathi.

Në kushtet kur nuk ka një datë për rifillimin e zakonshëm të aktivitetit, për ndërprerjen e kufizimeve, por edhe largimit të frikës së qytetarëve për të lëvizur lirshëm, agjencitë nuk e dinë se edhe sa gjatë do rezistojnë në tregun e punës.