Normat e kthimit të fondeve të investimit janë në rimëkëmbje gjatë këtij viti, pasi pësuan rënie të ndjeshme gjatë vitit 2020.

Mbështetur në të dhënat e publikuara nga shoqëritë administruese të fondeve, në fundin e muajit korrik kthimet ishin në nivele më të larta për të gjitha fondet aktive në treg.

Fondi me kthimin më të lartë vjetor në fund të muajit korrik ishte WVP Top Invest, që raportonte një kthim në masën 25.53%. Kjo vlerë përfaqëson një përmbysje nga kthimi negativ prej 7.65% i shënuar në fund të vitit 2020. Deri tani, fondet e administruara nga WVP Fund Management Tirana janë të vetmet që angazhohen në investime në tregun e aksioneve. Ky profil investimi ka tipare luhatshmërie më të madhe krahasuar me fondet e tjera, që përgjithësisht investojnë në instrumente borxhi me rrezik të ulët. Pas humbjes së vitit të kaluar, këtë vit ky profil investimi duket se po i shpërblen investitorët e këtij fondi. Fondi tjetër i administruar nga kjo shoqëri, WVP Global ende nuk ka mbushur vitin e parë të aktivitetit. Megjithatë, që nga themelimi në janar të këtij viti, edhe ky fond ka një kthim mjaft të lartë, me 18.02%.

Mes fondeve me rrezik relativisht të ulët në monedhën lekë, kthimin më të lartë aktualisht e ofron Raiffeisen Vizion. Në fund të muajit korrik, kthimi nga ky fond arriti në 3.69%, nga 1.72% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. Raiffeisen Vizion është fondi i vetëm që parashikon një periudhë minimale pjesëmarrjeje, para të cilës anëtari mund t’i shesë kuotat vetëm kundrejt një penaliteti. Kjo i kufizon pjesërisht tiparet likuide të këtij fondi, por nga ana tjetër zakonisht mundëson një kthim pak më të lartë krahasuar me fondet që investojnë në instrumente të njëjta, kryesisht obligacione dhe bono të qeverisë shqiptare.

Shumë afër qëndron edhe Credins Premium. Fondi i administruar nga Credins Invest në fund të muajit korrik ofronte një kthim nga investimi me bazë vjetore 3.67%, në rritje nga niveli 2.25% i fundit të vitit 2020. Edhe Credins Invest ka një profil rreziku të ulët, me investime të orientuara kryesisht në bono dhe obligacione.

Fondi i investimit Albsig Standard sipas të dhënave më të fundit (të muajit gusht) ofron një kthim në nivelin 3.44%, ndërsa në fund të vitit 2020 nuk e kishte mbushur ende vitin e parë të aktivitetit (u themelua në shkurt 2020).

Fondi më i madh dhe më i hershëm i investimeve në Shqipëri, Raiffeisen Prestigj, për momentin ofron kthimin më të ulët në treg. Në fund të korrikut kthimi llogaritej në 2.04%, por gjithsesi edhe ky në rritje nga niveli prej 0.83% i shënuar në fund të vitit të kaluar.

Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në mesin e këtij viti asetet neto të fondeve të investimit arritën vlerën e 71.85 miliardë lekëve, me një rritje prej 6.6% që nga fillimi i vitit. Pas stanjacionit të vitit 2020, këtë vit vlera e aseteve neto i është kthyer rritjes, e mbështetur pjesërisht nga përmirësimi i kthimeve, por edhe nga nisja e aktivitetit të fondeve të reja. Në mesin e këtij viti, këto fonde numëronin afërsisht 36 mijë anëtarë, në rritje me 10% që nga fillimi i vitit. Aktualisht, në treg veprojnë 11 fonde investimi, nga të cilat gjashtë janë licencuar në periudhën 2020-2021.