Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, njëherësh aspirant për kryeministër pas 14 shkurtit, tha se një bashkim i mundshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhej të vijë me luftë.

“Serbia dëshiron që të krijojë Serbinë e Madhe pasi që Beogradi u bën presion serbëve nëpër shtete të Ballkanit të mos integrohen.

Ne duam të kemi të drejtën e referendumit, ne nuk duam të shohim ndonjë formë të dhunës për t’u bashkuar. Kosova duhet ta ketë të drejtën për referendum jo domosdo që të bashkohemi me Shqipërinë por të kemi të drejtën e referendumit.

Nëse bëhet në formë paqësore dhe demokratike atëherë po bashkim me Shqipërinë dhe do ta respektojmë rezultatin, por në asnjë mënyrë ne nuk do të nisim një luftë të tretë ballkanike në mënyrë që bashkohemi me Shqipërinë”, tha Kurti në një bashkëbisedim virtual me redaktorët e revistës politike të Oxfordit.

Nga ana tjetër, ai sqaroi se si e sheh vijimin e dialogut me Beogradin.

“Unë mendoj se ne duhet të jemi të sinqertë për të pasur një marrëveshje të qëndruar, ne duhet të bëjmë kërkesa ndaj njëra-tjetrës.

Serbia ka disa kërkesa për Kosovën edhe ne gjithashtu dhe t’i vendosim në tavolinë kërkesat tona për të pasur një dialog të drejtë.

Ne duhet t’i rishikojmë 33 marrëveshjet paraprake me Serbinë, pra marrëveshjet nuk zbatohen. Duhet ta mbyllim atë kapitull në mënyrë që të vazhdojmë përpara.

Unë jam gati për të dëgjuar nevojat dhe kërkesat për serbët e Kosovës ata janë bashkëqytetarë të mi, por më duhet të them që nuk jam gati për të hyrë në një projekt ku ne duhet të kompensojmë Serbinë për humbjet që i ka shkaktuar në Kosovë.

Lotët në fytyrën e Vuçiçit nuk janë lot të serbëve të zakonshëm por lot të Serbisë si shtet që e ka humbur Kosovën. Negociatat në dialog janë diçka që njerëzit duhet të jenë përfitues, dhe jo politikanët. Ne duhet të ndihmojmë njerëzit”, tha Kurti.