Alket Rizai, shqiptari i njohur në Greqi për arratisjet e tij spektakolare nga burgjet, ka surprizuar dhe frikësuar policinë helene. Ai u gjet brenda një mjeti luksoz të blinduar në qytetin Lamia, të cilin forcat e rendit po e ndiqnin për disa orë derisa e ndaluan. Pas verifikimeve të kryera rezultoi se Rizai kishte lënë burgun Dhomokos me një leje të posaçme dhe nuk ishte arratisur.

Ndërhyrja

Skuadra e ndërhyrjes së shpejtë ka kërkuar nga pasagjerët të dalin jashtë me duart lart. Sapo personat kanë dalë, policët dhe qytetarët prezentë janë habitur. Një ndër tre personat që ndodheshin në makinë ishte edhe shqiptari Alket Rizai.

Por si gjendej ai jashtë burgut?

Sipas mediave vendase, Rizai kishte marrë leje nga burgu i Domokos dhe qarkullonte i lirë. Bashkë me të ishte një shtetas grek, shumë i njohur në jetën e natës. Megjithatë kontrolli nuk doli pa gjë. Personi i tretë, rezultoi një shqiptar i shumëkërkuar. Konkretisht ky i fundit, rezultoi me kartelë të kuqe, i kërkuar për vrasje.

36-vjecari shqiptar rezulton i kërkuar edhe për vepra të tjera. Ai u shoqërua në rajonin e Fthiotidas, ku mbërriti një grup special nga Athina që e mori në dorëzim.

Greku me Rizain ishte Vasili Varelas, edhe ky me leje për të qarkulluar lirshëm.

Sipas autoriteteve greke, Varelas është një nga kriminelët më të njohur grek, personi që në 2011 dha urdhër të ekzekutoheshin babë e bir shqiptarë, Fillim dhe Oligert Mesaja. Rizai dhe Varelas dolën me leje pasditen e së premtes për 5 ditë. Varelas ka qenë dublant i Jack Norris në Hollivud.

Shqiptari është mjaft i njohur në Greqi. Ai është arratisur dy herë me helikopter nga burgu i Koridhalos në 2006 dhe 2009. Rizai është dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia greke për dy vrasje.