Komisioni Europian i kërkon Qeverisë shqiptare që të reflektojë plotësisht rekomandimet e bëra në opinionin e Komisionit të Venecias sa i takon paketës së ashtuquajtur “antishpifje”.

“Autoritetet shqiptare janë zotuar që të zbatojnë të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Komisioni po mban shënime në lidhje me këtë zotim dhe nxit autoritetet shqiptare që të ndërmarrin të gjitha këshillimet e nevojshme me organizatat e medias dhe shoqërinë civile dhe të ketë parasysh të gjitha mendimet e dhëna nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare”, thotë Komisioni.

KE kujton se liria e shprehjes dhe e medias është një e drejtë në themel të vlerave të Bashkimit Europian dhe mund të kushtëzojë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, e deri në prapakthehu në gjithë procesin e integrimit, duke pasur parasysh metodologjinë e re të zgjerimit.

“Komisioni do të nxisë progresin në këtë çështje, edhe në kontekstin e së ardhmes së bisedimeve të anëtarësimit, duke u bazuar tek metodologjia e rishikuar e zgjerimit, që përqëndrohet edhe më fort tek reformat në fushat themelore, siç është edhe liria e medias”, deklaron Komisioni.

Komisioni thekson se varianti fillestar u gjet me shkelje serioze nga ana e ekspertëve të Venecias dhe zotohet se do të ndjekë nga afër të gjithë procesin e amendimit të ligjit dhe rishikimit të tij sipas rekomandimeve të Venecias dhe do të verifikojë nëse këto amendime do të përputhen me legjislacionin dhe standardet europiane.