Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për ish-gjyqtaren Enkelejda Hoxha.

Ish-gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha është dënuar përfundimisht me 3 vite burg, nga të cilat do të kryej 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar

Hoxha akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.

“Vuajtja e dënimit fillon nga dita e arrestimit data 11.2.2021 dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.”- thuhet në njoftimin e GJKKO.

Po ashtu Hoxhës i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 vitesh.

Sakaq, avokati Aldo Tabaku u dënua me 4 vite burg, i cili luante rolin e sekserit për të ndikuar te gjyqtarja për lehtësuar dhe liruar nga burgu të fortët. Për shkak të gjykimit të shkurtuar do të kryejë 2.8 vite burg.

Mes të dënuarve janë edhe sekretarja e Gjykatës, Emanuela Mallkuçi e dënuar me 3 vite burg, nga të cilat do të kryejë 2 vite burg.

Ndërsa Saimir Petani dhe Bledar Petani janë dënuar secili me 2.6 vite burg nga të cilat do të kryejnë 1.8 vite burg. Këto të fundit ishin të afërmit e të dënuarit që kishin futur avokatin mik tek gjyqtarja për ta liruar nga burgu.

Të gjithë do të kryejnë dënimin në burg të sigurisë së zakonshme.

Hoxha u shkarkua nga detyra e gjyqtares më 17 mars dhe u la në burg nga Gjykata e Apelit.