Protesta e 8 janarit, PD raport të detajuar ambasadave dhe KE: Berisha orkestroi dhunën në seli, një deputet u mor në mbrojtje nga Garda pasi u kërcënua me jetë

Dhunën e ushtruar në selinë blu gjatë protestës së 8 janarit Partia Demokratike ia ka raportuar me detaje ambasadave të huaja në vendin tonë dhe Komisionit Europian.

Përmes një raporti 8-faqësh, që përshkruan në orë pas ore atë që ndodhi në selinë e blu gjatë protestës së dhunshme të 8 janarit duke e shoqëruar edhe me foto të dhunës në seli, militantë me vare e çekiçë në duar, ndërsa përgjegjësin kryesore dhe udhëzuesin e të gjithë kësaj dhunë PD bën fajtor Sali Berishën.

Në raport theksohet se “deputeti Sali Berisha sulmoi brutalisht dhe në mënyrë të paprecedentë selinë blu me qëllimin largimin me forcë të kryedemokratit Lulzim Basha”.

“Në video ngrihen dyshime për bashkëpunimin dhe rolin e Sali Berishës duke orkestruar këtë dhunë të paprecedentë në selinë blu. Berisha deklaron në media se nuk ka dhunë nga mbështetësit e tij, ndërsa filmohet nga duke bërë gjestin e dorës për t’u mbledhur para hyrjes kryesore dhe vetëm pak minuta më vonë turma sulmon në mënyrë të paprecedentë godinën duke thyer dyer e dritare”, thuhet në raportin e PD.

Në raport përmendet edhe dhunimi i Roland Bejkos apo marrja në mbrojtje nga Garda e deputetit Enkelejd Alibeaj pasi ishte kërcënuar me jetë nga njerëzit që Berisha i solli para selisë blu.

“Një orë para nisjes zyrtare të protestës së thirrur nga Berisha, disa mbështetës të tij sulmuan fizikisht dhe verbalisht sekretarin e PD-së për Zhvillimin Vendor Roland Bejko, në prani të gjerë të mediave dhe kamerave. Gjithashtu nënkryetari i PD-së, deputeti Enkelejd Alibeaj ishte vënë nën mbrojtjen e Gardës Kombëtare pasi u sulmua dhe u kërcënua me jetë nga persona të mbledhur në protestën e thirrur nga Berisha”, thuhet në raport.

Në raport flitet edhe për hetimin që policia dhe prokuroria e Tiranës zhvilloi në selinë e PD, ndërsa ngre shqetësimin se disa prej deputetëve dhe përfaqësuesve të PD u morën në pyetje për herë të dytë nga hetuesit.

“Pas mbylljes së konferencës për shtyp nga zoti Basha dhe kur përfaqësuesit e PD-së nisën të largoheshin nga selia e partisë, oficerët e policisë iniciuan sërish ndalimin dhe shoqërimin e tyre në komisariat. Ndër personat e ndaluar nga policia nuk kanë qenë vetëm përfaqësues të PD, deputetë por edhe media e gazetarë. Reagimi i menjëhershëm ka ardhur nga sekretari i Përgjithshëm, Bardhi i cili e dënoi këtë lëvizje të policisë dhe kërkoi shpjegime se pse përfaqësuesit e PD-së u morën për herë të dytë në pyetje, ndërkohë që kishin dëshmuar njëherë”, thuhet në raport.

Në fund raporti mbyllet me reagimet ndërkombëtare që dënuan dhunën e ushtruar në protestë dhe mbulimin që i bënë disa nga mediat botërore ngjarjeve të 8 janarit në selinë blu, ndërsa në asnjë rresht të dokumentit të PD nuk përmendet fortifikimi dhe dyert e blinduara që iu vunë godinës.