Gjykata e Posaçme e Apelit refuzon kërkesën e ish-ministrit Lefter Koka për lirimin nga sekuestroja të disa pasurive të tij.

Gjykata e Posaçme e Apelit refuzon kërkesën e ish-ministrit Lefter Koka për lirimin nga sekuestroja të disa pasurive të tij. Me vendimin që Gjykata e Posaçme la në qeli Kokën, pas dyshimeve për “korrupsion” dhe “shpërdorim detyre”, vendosi në sekuestro preventive 88,19% të aksioneve në pronësi të tij në një kantinë pijesh alkoolike. Kokës i është refuzuar më parë edhe kërkesa për lirim nga qelia.

Ish-ministri i Mjedisit akuzohet se ka përfituar mbi 3 milionë euro për të ndikuar në tenderin e inceneratorit të Elbasanit. Ai i mohon akuzat.

Ai pretendon se nuk ka përgjegjësi ligjore, dhe se çështja ka ngjyresa politike. Por sipas SPAK, në cilësinë e ministrit të Mjedisit, Koka ka shkelur ligjin gjatë procedurës për dhënien me koncesion të iceneratorit të Elbasanit te shoqëria “Albtech Energy” dhe se ka përfituar gati 3,7 milionë euro ryshfet.

GJKKO lëshoi fletë arresti edhe për biznesmenët Klodian Zoto e Stela Gugallja, administratorët e shoqërisë që mori koncesionin dhe asaj që zbatoi punimet, të cilët ende nuk janë gjetur nga policia.