Dy tema të nxehta që i lidhi mes tyre më parë konteksti, pastaj problematika, e kapën vëmendjen e komunitetit kulturor shqip këto ditë: dërgata e shkrimtarëve shqiptarë në Panairin e Torinos, e prezantuar nga një media si “lista e më të mirëve”; dhe antologjia poetike e përgatitur nga Rudolf Marku. Në të dy herët, u duk se pati revoltë e mllef për përzgjedhjet e emrave – të shkrimtarëve për në Panair, të poetëve për Antologjinë. Siç mund të pritej, ngaqë çdo listë shkëlqen edhe për ata që kanë mbetur JASHTË, njerëzit u revoltuan për ARBITRARITETIN e zgjedhjeve (nga autorët e listave) dhe për VLERAT e përjashtuara.

Për antologjinë e Markut është folur dhe do të flitet: disa kanë vënë në dukje mungesën e poetëve nga Kosova, të tjerë mungesën totale të poezisë shqipe me shkronja arabe (bejtexhinjve), të tjerë akoma përfaqësimin e shtrembër të poeteve gra. Këto kritika nisen nga premisa se antologjia ka ndonjë status a pretendim se po përcakton kanonin e poezisë shqipe; edhe pse, objektivisht, bëhet fjalë thjesht për një koleksion poezish që i pëlqejnë poetit laureat, Rudolf Markut.

Problemin e krijon – për mua – jo libri vetë, por mënyra si u prezantua; jo teksti, por PARATEKSTI. Dhe këtë e them duke pasur parasysh edhe angazhimin dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të librit nga një institucion, si QKLL-ja; edhe fjalët që thuhen, p.sh. nga Gëzim Basha në parathënie. Publiku ka nisur ta perceptojë këtë antologji si ANTOLOGJINË zyrtare të poezisë shqipe, që sanksionon ata që janë dhe përjashton ata që nuk janë, që ndan grurin nga egjri dhe shapin nga sheqeri. Ka nisur ta perceptojë si një HALL OF FAME të poezisë shqipe, dhe ashtu po ndihet pjesërisht i papërfaqësuar.

Zgjedhjet e Rudolf Markut janë të diskutueshme; gjithkush nga ne do të kish bërë një antologji tjetër (unë do të kisha futur patjetër shumë poetë nga Kosova). Fakt mbetet që ky libër nuk sanksionon asgjë, përveç shijeve personale të dikujt që mbase meriton të dëgjohet dhe të ndiqet në ato që thotë: poet me përvojë, i pëlqyer, laureat; por që mbetet subjektiv me përkufizim. Është NDËRVENDOSJA INSTITUCIONALE, që alarmon. Sepse ndryshe nga Rudolf Marku, që përfaqëson veten, prej institucioneve publike pritet të përfaqësojnë publikun dhe të mbrojnë interesat e tij.

Diçka e ngjashme ndodhi edhe me listën e “shkrimtarëve më të mirë shqiptarë” që do të shkojnë në Torino: edhe këta u paraqitën, të paktën nga një media me autoritet, si një ekip kombëtar i shkrimtarëve shqip, që shkojnë të mbrojnë ngjyrat e flamurit tonë në Torino. Kjo lloj paraqitjeje irriton – sepse letërsia nuk i përballon mirë këto lista dhe përzgjedhje; dhe sidomos, sepse institucionet publike, që në një mënyrë a në një tjetër janë përfshirë në këtë përzgjedhje, NUK KANË PUNË që të merren me lista më të mirësh.

Në të dy rastet, revolta ka të bëjë me atë që e kanë quajtur RECOGNITION: njerëzit ndihen të përjashtuar, për shkak të subjektivizmit dhe arbitraritetit të atyre operatorëve dhe institucioneve të kulturës, prej të cilëve pritej distancim ndaj çdo subjektivizmi dhe arbitrariteti. Duket sikur këto institucione – qofsha i gabuar – gjithnjë e më shpesh po marrin përsipër evidentojnë dhe të promovojnë zërat përfaqësuese në letërsi dhe kulturë, duke u dhënë PRIVILEGJE gjithfarësh, edhe pa e pasur tagrin për këtë (dhe aq më pak kompetencën). Dhe privilegji është vetvetiu i neveritshëm.

Ashtu edhe përbërja e dërgatës për Torino u lexua si listë e “shkrimtarëve të shtetit”, që u privilegjuan me një udhëtim në Torino. Ashtu edhe qëndrimet estetike subjektive të një individi – poetit Rudolf Marku – u interpretuan si qëndrime institucionale zyrtare dhe u privilegjuan me një tis të vyer autoriteti.

Nuk është aq ajo që ndodh në realitet: ca shkrimtarë shkojnë në një Panair (tek e fundit gjë e mirë, po të ketë njeriu parasysh se zakonisht në Panaire kanë shkuar vetëm botuesit); një poet boton një antologji të poezisë shqipe, me vepra që i pëlqejnë; është mënyra e hiperventiluar si prezantohet kjo, THE HYPE, që i irriton njerëzit. Ka diçka thellësisht të kalbur në marrëdhëniet mes institucioneve publike, mediave dhe kulturës, që besoj është shkaktuar nga përpjekjet e politikës për të futur hundët atje ku nuk i takon, duke thelluar një ndarje mes NESH dhe JUSH, TANËVE dhe TË TJERËVE. Aty është plaga, aty duhet vënë gishti.

(AV)