Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas operacionit të SPAK që çoi në pranga kryebashkiakun e Lushnjës Fatos Tushe dhe 10 persona të tjerë. Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se nuk do të ketë mbrojtje nga Partia Socialiste dhe duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë.

“Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve”.

Sipas Ramës çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak.

“Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”.