Policia gjithashtu bën me dije se 40-vjeçari gjithashtu ka publikuar një video të bashkëjetueses së tij, pa pëlqimin e saj.

Policia e Tiranës ka arrestuar Aldor Ninin, drejtuesin e kompanisë Acromax në Shqipëri. Sipas Policisë së Tiranës, Nini ka dhunuar dhe përndjekur bashkëjetuesen e tij, e cila ka bërë kallëzim për të, ndaj edhe Nini është vendosur në pranga. Përveçse dhunuar edhe përndjekur, Policia gjithashtu bën me dije se 40-vjeçari gjithashtu ka publikuar një video të bashkëjetueses së tij, pa pëlqimin e saj.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin A. N., 40 vjeç, pasi ka përndjekur dhe dhunuar vazhdimisht bashkëjetuesen e tij, si dhe dyshohet se ka publikuar një video të saj, pa pëlqimin e saj”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale,”- njofton Policia e Tiranës.

Megjithatë nuk ka detaje të tjera lidhur nga Policia e Shtetit se kur ka ndodhur abuzimi i pretenduar i bashkëjetueses së tij, e po ashtu nuk bëhet me dije as identiteti i saj. Ndërkohë që Nini është në prangat e Policisë, nga ana e përfaqësuesëve të tij, nuk është bërë asnjë koment lidhur me arrestimin e 40-vjeçarit duke zgjedhur që të heshtin për akuzat e ngritura ndaj tij.

Çfarë është Acromax?

Kompania ofron konsultues dhe softuer për industrinë e madhe të argëtimit për luftën e tyre kundër piraterisë dixhitale. Të paktën kështu e përshkruajnë veten në faqen e tyre zyrtare. Disa vite më parë në një shkrim, Exit.al, shkruante se kompania ishte e vendosur në një ndërtesë tregtare në rrugën më të shtrenjtë të biznesit në Hamburg. Acromax Media ka marrë të drejta të mëdha për përdorimin në internet të transmetimeve televizive dhe gjithashtu ka lejen për të ndërmarrë veprime kundër shkeljeve të të drejtave të autorit me iniciativën e vet.