Prokurorët e SPAK bënë goditjen më të madhe të viteve të fundit për sa i përket botës së krimit, duke zbardhur dy atentate mafioze të ndodhur 15 vite më parë.

Por cilat anë këto dy ngjarje të rëndë kriminale?

Ngjarja e parë ka ndodhur më 26 shkurt të vitit 2005, rreth orës 22:00, në aksin rrugor Durrës-Maminas. Kjo ishte një ngjarje kriminale tipike mafioze, ku u vra Klodjan Saliu, në atë kohë një nga eksponentët e bandës së Durrësit. Në atë kohë, banda e Durrësit ishte ndarë në dy fraksione dhe pikërisht në këtë moment ndodhi edhe ekzekutimi. Automjeti i Klodjan Saliut ishte duke lëvizur në këtë aks rrugor kur nga një tjetër makinë u qëllua me breshëri automatiku. Saliu mbeti i vdekur në vend, ndërsa u plagos një tjetër person. Ndonëse banda e Durrësit u hetua nga Prokuroria e Krimeve të Rëndë dhe u gjykua, për këtë ngjarje nuk u gjetën në atë kohë prova direkte.

Sa i përket ngjarjes tjetër, të ndodhur në 24 orë më vonë, mbeti i vdekur biznesmeni Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi. Lamaj, pasi kishte konsumuar një darkë pranë pallatit ku jetonte, në momentin që po ngjitej në banesën e tij, pati një shpërthim në ashensorin e pallatit. Përveç Lamajt, i cili ndërroi jetë në vendngjarje, humbi jetën edhe Artan Arsi si pasojë e presionit të krijuar në tunelin e ashensorit, edhe pse ndodhej në katin e parë.

Aktualisht, përveç Lulzim Berishës, Plarent Dervishajt, Indrit Taullait dhe Emiliano Shullazit ka arrestuar edhe shtetasin Viktor Ymerin, një tjetër personazh i lakuar i botës së krimit, i lirua dy vite më parë.

“Asgjë nuk harrohet”, policia jep detaje të arrestimeve të bujshme

Zbardhja e vrasjes së 3 personave në dy ngjarje kriminale të ndodhur në shkurt të vitit 2005, u finalizua ditën e sotme nga Policia e Shtetit nën drejtimin e SPAK-ut.

Në operacionin e koduar “Asgjë nuk harrohet” morën pjesë forcat speciale RENEA, forcat e posaçme operacione, Drejtoritë Vendore të Policisë së Tiranës, Durrësit e Vlorës si dhe Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Kukës e Interpol Tirana.

Katër persona u arrestuan dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa u ekzekutua edhe një urdhër ndalimi nga SPAK.

Në pranga ranë Viktor Ymeri dhe Indrit Rusi, ndërsa në Prizren u arrestua Indrit Taullai për llogari të autoriteteve shqiptare. Një tjetër i arrestuar është edhe Emiljano Shullazi, i cili ndodhet në burg ku vuan dënimin me 14 vite për një tjetër vepër penale.

Ndërsa në kërkim ndërkombëtar janë shpallir Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishi, pasi nuk u arrit që të arrestoheshin gjatë operacionit.

Nga hetimet ka rezultuar se Lulzim Berisha, Emiljano Shullazi, Plarent Dervishi, Indrit Taullai, Viktor Ymeri dhe Luftar Reçi akuzohen për vrasjen e Vajdin Lames dhe Artan Arsit, të cilët humbën jetën nga shpërthimi me eksploziv në ashensorin e pallatit ku banonte Lame në vitin 2005.

Të njëjtët persona, përveç Emiljano Shullazit dhe Viktor Ymerit, akuzohen edhe për vrasjen e dytë ndaj Klodian Saliut, i cili u ekzekutua teksa udhëtonte me makinë në autostradën Durrës-Tiranë.