Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Elbasan mbrëmjen e kësaj të hëne. Një person ka ndërruar jetë si pasojë e atentati me armë zjarri ndërsa një tjetër është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

Mësohet se viktima e kësaj ngjarje është Lulzim Bitri, rreth 35 vjeç, i cili ka ndërruar jetë menjëherë në vendin e ngjarjes. Ndërsa Ardian Çollaku, 48 vjeç, ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në spital në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

Policia njoftoi fillimisht se kishte mbetur i vdekur edhe Çollaku, por më pas nga Spitali i Elbasanit u konfirmua se ka pësuar vdekje klinike.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të një karburanti tek “Rrethrrotullimi i Luleve” në hyrje të Elbasanit teksa dy personat po lëviznin në këmbë.

Dyshohet se ekzekutorët kanë qenë duke i pritur viktimat, të cilët janë qëlluar sapo kanë zbritur nga automjeti. Sipas dëshmitarëve është dëgjuar vetëm një e shtënë dhe pastaj breshëri automatiku.

Në foto, viktima Lulzim Bitri

Autoritetet kanë gjetur në afërsi të Metalurgjikut një automjet tip “Volvo” të djegur që dyshohet se është përdorur për të kryer vrasjen.

Deri më tani nuk dihen rrethanat e kësaj ngjarje. Paraprakisht dyshohet se ajo mund të ketë ardhur si pasojë e të shkuarës së  viktimave, por detaje të reja dhe më të sakta pritet që të dalin në vijim.

Në akset kryesore të Elbasanit janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorëve, identitetet e të cilëve nuk dihen ende.

Ardian (Subashi) Çollaku rezulton me precedentë penalë. Në 2015, ai u arrestua në qytetin e Elbasanit, pasi ndaj tij kishte një urdhërarrest ndërkombëtar.

Ai ishte dënuar nga Gjykata e Modenas në Itali me 23 vjet e 3 muaj e 17 ditë burgim për veprat penale te “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armeve luftarake dhe e municionit”.

Ndërsa viktima Lulzim Bitri ka qenë i dënuar me 4 muaj burg në Maqedoninë e Veriut pasi akuzohej si i përfshirë në një përplasje me armë në Tetovë në 2018 ku mbeti i vrarë një person.