Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndodhet në Kosovë për një vizitë pune. Ai është takuar në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Balla thotë në një postim në rrjetet sociale se marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive në mbledhjen e Elbasanit ishin një hap i madh. Po ashtu, Balla njofton se do të forcojë bashkëpunimin edhe në nivel të grupeve parlamentare, duke qenë se Kurti është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive në Mbledhjen e Elbasanit ishin një hap i madh në drejtim të lehtësimit të lëvizjes në dy anët e kufirit, njohjes së diplomave apo kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe krijimit të hapësirave më të mëdha të bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve tona. Do të forcojmë bashkëpunimin edhe në nivel të grupeve tona parlamentare”, shkruan Balla.