Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga nënkryetari Xhavit Haliti dhe sekretari Uran Ismaili, do të zhvillojnë sot një vizitë zyrtare në Shqipëri.

KosovaPress shkruan se Hoxhaj do të takohet me presidentin shqiptar, Ilir Meta, me krye-parlamentarin Gramoz Ruçi dhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Po kështu, gjatë qëndrimit në Tiranë, Hoxhaj do të takojë edhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, ndërsa do të pritet edhe nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Në këto takime pritet të diskutohet për zhvillimet politike në vend dhe rajon, për projektet dhe planin e tij qeverisës, për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve si dhe për bashkëpunimin e ngushtë që duhet ta kenë Tirana e Prishtina zyrtare në sfidat ndërkombëtare.

Sakaq, në këto takime do të diskutohet edhe për ish-krerët e UÇK-së, të cilët ndodhen në Hagë dhe akuzohen për krime lufte.