“Në raundin e katërt, PS do të propozojë një kandidat apo kandidate në vartësi të një procesi që jemi duke vijuar që prej datës 28 mars”. Kështu deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla pas seancës së Kuvendit.

“Do të propozojmë duke ndjekur parimet e një procesi, ku dëshira jonë është që të dialogojmë me gjithëkënd që dëshiron bashkë me ne të ndajë përgjegjësin e zgjedhjes së presidentit. Në raundin e katërt dhe të pestë, askush nuk mund të marrë peng procesin dhe zgjedhjen e presidentit”, u shpreh Balla.

Ai nënvizoi se do të vazhdojnë që të kërkojnë dialog me opozitës për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Në kemi pasur gatishmërinë për t’u ulur në emra konkretë me opozitën. Nëse opozita ka dëshiruar që prej fillimit një president për ta zgjedhur vetë, unë mendoj që nuk i bën nder askujt.  Ne do të vazhdojmë të kërkojmë komunikim dialog më të gjithë deputetët e grupeve parlamentare të opozitës”, tha ai më tej.

Votimi në raundin e tretë për zgjedhjen e presidentit në Kuvendin e Shqipërisë konsiderohet i ezauruar pasi palët politike nuk depozituan asnjë kandidaturë.

Opozita refuzoi të bëhet pjesë e seancës së sotme me përjashtim të disa deputetëve, si Ina Zhupa, Agron Duka, Fatmir Mediu, Petrit Vasili, Edmond Spaho.

Me tre raundet e para që tani konsiderohen të djegura, Presidenti zgjidhet me 84 vota.