Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka shtyrë vendimin për prokurorin Besim Hajdarmataj, pasi ka kërkuar materiale shtesë.

“Kolegji mori një vendim të ndërmjetëm, me anën e të cilit revokoi vendimin e mëparshëm për t’u tërhequr për të marrë vendim. Ky vendim u mor që trupi gjykues të marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit një shkresë të përcjellë nga “Vodafon Albania” në datën 26 prill 2019. Për të mundësuar pasjen e këtij dokumentacioni, seanca publike do të shtyhet më 3 gusht në orën 9”, tha trupi gjykues në seancën e së enjtes.

Hajdarmataj kaloi me sukses në muajin tetor procesin e Vetting-ut, por vendimi i KPK ishte ankimuar nga Komisioneri Publik.

***

Në shkallën e parë të Vettingut, sipas ILDKP, deklarimi i tij i pasurisë ishte i saktë, kishte burime financiare të ligjshme, nuk ka fshehje pasurie, nuk ka deklarim të rremë dhe nuk ka konflikt interesi.

Në deklaratën për vetting-un, Hajdarmataj ka deklaruar llogari bankare 5 milionë dhe 1 milion leke. Burime janë të ardhurat nga paga dhe kursimet; gjendje kesh 500 mijë lekë, burim nga paga; llogari rrjedhëse: 900 mijë lekë. Ndërkohë, dhuratë nga vëllai në Angli ka pasur 6 000 euro dhe 4 000 paundë. Analiza financiare e Hajdarmatajt është pozitive në periudhën 2003-2016.

Për sa i përket figurës, sipas DSIK, Hajdarmataj është i përshtatshëm për vijimin e detyrës.