Nëse do t’i referohemi njoftimit zyrtar të Partisë Demokratike për drejtuesit politik të qarkut Tiranë, do të kuptojmë se Lulzim Basha, Tiranën e ka thuajse të mbyllur.

Duke drejtuar vetë listën për Tiranën dhe duke marrë të mirëqenë se aty do të jetë edhe Sali Berisha, bashkë me 8 emrat që mbulojnë zonat e Tiranës dhe emrin e Dashamir Shehit nga aleatët mund të thuhet se Basha, 11 emrat e parë i ka mbyllur, me saktë lista fituese nëse do t’i referohemi mandateve, që ajo mori në zgjedhjet e 2017-ës.

Me listën e 11 emrave të sigurt nuk dihet se çfarë roli ka vendosur Basha për Fatmir Mediun (i 10-i në listë në 2017) dhe nënkryetarin e PR-së, Blendi Sula, të cilin Mediu bashkë me emrin e tij e donte në pozicion të sigurt në Tiranë.

Për një vend të sigurt në Tiranë, në negociata ishte edhe Shpëtim Idrizi.

A do të pranojnë Mediu dhe Idrizi pozicione poshtë vendit të 11-të, më saktë vendeve jo fituese të PD-së, nëse i referohemi zgjedhjeve të 2017-ës, apo do të zhvendosen në qarqe të tjera? Kjo mbetet për tu parë.

Ashtu siç mbetet për tu parë edhe për disa emra deputetësh që para katër vitesh garonin për siglën e PD-së në Tiranë, si Gent Strazimiri, Oriola Pampuri apo Gert Bogdani.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, PS-ja mori 18 mandate, PD 11 ndërsa LSI 5 mandate.

Lista fituese e PD-së për Tiranën, nese i referohemi zgjedhjeve të 2017

Lulzim Basha

Sali Berisha

Aldo Bumçi

Jorida Tabaku

Alfred Rrushaj

Agron Shehaj

Grida Duma

Albana Vokshi

Belind Këlliçi

Flamur Noka

Dashamir Shehi