Kryedemokrati Lulzim Basha ka shpërndarë një video ku thekson se sipas tij, Berisha, Meta dhe Rama janë bashkë.

Ai shprehet i bindur se PD do të çlirohet nga hijet e së kaluarës për një të ardhme më të mirë.

Basha e quan PD si shpresa që bashkë me shumicën e shqiptarëve do të ecë përpara.

“Demokratët dhe shqiptarët te Partia Demokratike kanë sot shpresën e vetme për ndryshim. Ne kemi sakrifikuar gjithçka për të materializuar këtë shpresë, kemi treguar se kemi forcën brenda vetes për t’u ndarë edhe nga hijet e të shkuarës edhe nga korrupsioni i të shkuarës, ndërkohë që vazhdojmë betejën me të keqen e sotme që është regjimi i Edi Ramës. Pra nga njëra anë kemi shumicën me vete, shumica është për ndryshimin, e do këtë ndryshim, që ne e mishërojmë edhe në vizionin tonë edhe në programin tonë edhe në luftën tonë të përditshme. Dhe e dyta që do ta them fare qartë, përballë kemi si asnjëherë tjetër Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën, që së bashku janë më të vegjël se ç’kanë qenë kurrë më parë. Ata të tre bashkë janë pakica absolute përballë shqiptarëve. Partia Demokratike e çliruar nga pesha e të kaluarës, do ta marrë këtë shumicë për të ecur përpara drejt së ardhmes”, shprehet Basha.

PD për primaret: Berisha emëron, Berisha voton, Berisha numëron

Ndërkohë, pas primareve të zhvilluara nga komisioni i rithemelimit ka reaguar edhe Partia Demokratike e Lulzim Bashës. Selia blu thotë se këta nuk janë kandidatë të Partisë Demokratike.

“Një proces ku Berisha emëron, Berisha voton, Berisha numëron është vetëm vijimi i tollovisë të krijuar nga personi i shpallur non grata për korrupsion.

As Berishën, as kandidatët e tij nuk i lidh asgjë me Partinë Demokratike. Rama dhe Berisha po krijojnë një parti të re për të dëmtuar Partinë Demokratike dhe për ta mbajtur akoma në vendnumëro Shqipërinë” – thuhet në reagimin e Partisë Demokratike që mbyllet me fjalët “Zgjedh Ramën, mban Berishën. Zgjedh Berishën, mban Ramën”.