Lulzim Basha ka reaguar menjëherë pas një postimi të kryeministrit Rama që tregon arsyet përse kërkon një mandat të tretë në krye të qeverisë së vendit.

Kreu i PD i bën thirrje kryeministri të largohet pasi sipas tij vendi ka mbetur në vendnumëro pas asnjë të ardhme dhe shpresë.

“Ekonomia ka ngecur. Premtove ulje taksash dhe çmimesh por dështove dhe i rrite taksat dhe koston e jetës për çdo shqiptar.

Punësimi ka ngecur. Premtove 300 mijë vende pune por dështove dhe largove qindra mijë nga puna.

Shëndetësia ka ngecur. Premtove shëndetësi falas dhe e çove në kolaps e i grive shqiptarët nga xhepat para dhe gjatë pandemisë.

Hyrja në Europë ka ngecur.

Premtove hapjen e negociatave para 8 vitesh dhe vetëm sa shtove kushtet prej dështimeve të tua.

Edi ti kishe 8 vjet pushtet si askush para teje dhe pas 8 vjetësh vendi ka ngecur vendnumëro.

Shqipëria nuk e ka luksin të të japë edhe 4 vite të tjera, që të përfundojë sërish si në fund të këtyre 4 viteve. Ngecur vend numëro, pa të ardhme, pa shpresë, pa ëndrra.

Ik rri me familjen tënde. Shqipëria do të ecë para dhe tani që të gjithë e dinë se kjo nuk mund të ndodhë me ty”, shkruan mes të tjerash Basha.