Në përfundim të seancës së parë të legjislaturës së re parlamentare, Sali Berisha akuzoi edhe njëherë kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për një marrëveshje me Edi Ramën.

“Siç e shihni unë jam anëtar i grupit parlamentar të PD. Kompromisi Basha-Rama është nul. Nuk ka asnjë mbështetje ligjore përveç fëlliqësisë morale. Do të jetë shumë e afërt dita kur PD të rifitojë të gjithë forcën, vendosmërinë, legjitimitetin për të shporrur një klikë sunduese të bazuar mbi krimin, drogën, dhunimin e votës së qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha për gazetarët.

“Nuk do ta kursej kurrë jetën time për të mbrojtur interesin publik të qytetarëve dhe kombit shqiptar. Për të denoncuar të gjitha aferat e këtij regjimi të kakistokracisë, regjim i cili ka zgjedhur shpifjen, trillimin, kurthet, pazaret për eliminimin e opozitarëve shqiptarë. Se çfarë date është pakti do t’ua lë historianëve. Por ajo që ndodhi është një marrëveshje Rama-Basha, në kurriz të zgjedhësve shqiptarë dhe duhet çmontuar një minutë e më parë. PD është parti e lirive e të drejtave njerëzore, e interesit kombëtar. Jam i bindur se demokratët shqiptarë, me dinjitet dhe vendosmëri do të dinë të vendosin PD në piedestal. Do të marrë çdo nisëm ligjore brenda PD për rikthimin e saj në piedestalin që meriton”.