Ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab akuzoi të mërkurën Komisionin Evropian se po luan me zjarrin me kërcënimet për të ndaluar eksportet e vaksinave anti-COVID drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke i kërkuar presidentes Ursula von der Leyen të sqarojë deklaratën e saj.

Më herët, Bashkimi Evropian kërcënoi ndalimin e eksportit të vaksinave për të garantuar dozat e pakta për qytetarët e tij, me Von der Leyen që shprehu sërish shqetësimin për mungesën e dorëzimit të vaksinave nga impiantet e kompanisë “AstraZeneca” në Britani.

“Jam pak i habitur nga ky debat. Është normale që Britania dhe BE-ja të bëhen bashkë për të arritur një qëllim, ndryshe nga vende të tjera me regjime më pak demokratike që përfshihen në lojëra me zjarrin”, u shpreh Dominic Raab, ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe.

Britania e Madhe ka nivelin e pestë më të lartë të vdekjeve nga pandemia, por ka edhe një nga proceset më të shpejta të vaksinimit mes vendeve të mëdha, me mbi 25 milionë banorë që kanë marrë dozën e parë.

Qeveria deklaron se është në rrugën e duhur për t’i dhënë dozën e parë gjysmës së qytetarëve në moshë të rritur brenda pak ditëve, duke arritur ritme shumë më të shpejta se vendet evropiane.