NUK E NDËRROJ EMRIN, SEPSE EMRI QË MË KA VËNË BABAI IM KA DOMETHËNIE JO VETËM PËR FAMILJEN TONË, POR EDHE PËR HISTORINË E POPULLIT SHQIPTAR

– Të thërret Luisi – thotë Billi, duke e ndërprerë provën, dhe më prinë te ruloti i regjisorit.
– Bekim, ti e di çfarë nuk kam bërë që ti ta marrësh Daksin. Bëj edhe ti diçka për mua. Të gjithë udhëheqësit kenë ardhur përsëri në Romë. Janë të brengosur për shkak të emrit, sepse janë investuar aq miliona dollarë. Na ndihmo dhe ndryshoje emrin – më lut në “mënyrë angleze” fine!
– Luis, ti e di që thellësisht të jam mirënjohës. POR, EMRI QË MË KA VËNË BABAI KA DOMETHËNIE JO VETËM PËR FAMILJEN TONË, POR EDHE PËR HISTORINË E POPULLIT SHQIPTAR. NUK MUND T’I TRADHTOJ PRINDËRIT E MIJ.
Qetësi e mbarsur. Luisi skuqet.
– Nëse ti nuk do që të ndryshosh emrin, Parmounti mund ta ndërrojë aktorin kryesor.
Qetë, “në mënyrë angleze”, i përgjigjem:
– Zotëri, në këtë çast në botë kemi me mijëra aktorë që do të jepnin gjithçka për të luajtur Daksin. Jo vetëm që do të ndryshonin emrin, por edhe gjininë. Ju lutem merreni ndonjërin nga ata.
I revoltuar, e ndërpreu xhirimin, por nuk e shpërndau ekipin.
Ne aktorët, në një atmosferë të rëndë, jemi ulur në restorantin e hapur në sheshin Navona. Arritën zotëria i vërtetë Fernando Rej, Ernest Borgnajni, Alen Bedeli… Askush nuk e komenton situatën, por e ndjej të jenë në anën time. Vetëm Sharl Aznavur, si për vete, pyet: – Pse nuk e kanë zgjidhur këtë çështje para nënshkrimit të kontratës? E dimë që Bekimi e ka mësuar anglishten për këtë film.
E çuditshme.
– Më në fund! E fitove luftën. Mbetet emri yt –
më thotë Luraski, drejtor i kompanisë për Italinë.
– Nuk kam fituar kurrfarë lufte, sepse as nuk e kam bërë. Pas tij m’u afruan edhe zotërinjtë tjerë për të më uruar, por edhe vetë Luis Gilberti.
Më ra guri nga zemra.

_____

BEKIM FEHMIU “SHKËLQIM DHE TMERR”  (faqe 207)