Një 56-vjeçar në Kukës është arrestuar nga Drejtoria e Anti-Terrorit në Policinë e Shtetit për thirrje dhe propagandë për kryerjen e veprave terroriste.

I arrestuari është Ibrahim El Salih, i cili përdor edhe mbiemrin e dytë Lekica. Sipas policisë, ndaj tij është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg” nga GJKKO. Ai është i dyshuar për veprën penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.

Këto thirrje ai i bënte në rrjete sociale përmes profileve të ndryshme false.

Hetimet janë kryer prej disa muajsh nga Drejtoria e Anti-Terrorit në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe SPAK-un, duke përdorur metodat proaktive.

Organet e zbatimit të ligjit e konsiderojnë 56-vjeçarin person me prirje ekstremiste fetare, i cili postonte në rrjetet sociale shkrime të ndryshme në përkrahje të ISIS. Gjithashtu, i bënte thirrje qytetarëve për përkrahje të luftës në Siri.

Materialet i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.