Efektivi i policisë, Ludian Zaimi ka dëshmuar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së hënës brenda komisariatit nr. 3 në Tiranë, ku qëlloi për vdekje kolegun e tij, Çaush Saliasi.

25-vjeçari ka deklaruar se veprimi i tij ka ardhur si akumulim i sjelljeve të përsëritura të viktimës dhe kolegëve të tij. Sipas Zaimit, këto sjellje kishin të bënin me fjalorin denigrues dhe veprimeve bullizuese, teksa shtoi se kanë pasur përplasje edhe më parë me njëri-tjetrin.

Dëshmia në polici

“Po bënim instruktazhin në momentin kur ndodhi ngjarja. Çaushi vijoi me përsëritjen e fjalëve dhe veprimeve fyese ndaj meje. Jam përplasur edhe më herët me të, edhe në kohën kur kemi qenë në krye të detyrës. Konsumonte alkool dhe shfaqte sjellje denigruese ndaj meje. Jam penduar për veprimin që kam bërë, ishte moment dobësie dhe mungese të vetëpërmbajtjes”, ka thënë ai.

Burime nga blutë e Tiranë bëjnë me dije se Zaimi, prej një viti e 3 muajsh në radhët e patrullës së përgjithshme, merrte medikamente për problemet që ka patur me ankthin. Në momentin e marrjes në pyetje, ai ka qenë i traumatizuar dhe penduar për krimin e bërë.

Momenti i vrasjes

Efektivi Ludian Zaimi 25 vjeç kishte debatuar të hënën me kolegun e tij Çaush Saliasi 55 vjeç. Ditën e ngjarjes, Ludian Zaimi iu afrua dhe iu drejtua me fjalët “si do ta lëmë”. Dhe në momentin që Çaush Saliasi ngriti kokën, efektivi 25-vjeçar shkrehu armën e shërbimit.

Por përpara se të qëllonte, ai u thirri efektivëve të tjerë që ishin në sallë që “të ulnin kokat”. Dhe më pas hapi zjarr në drejtim të viktimës duke zbrazur karikatorin. Gjashtë plumba i morën jetën punonjësit të policisë Çaush Saliasi.

Ky i fundit u dërgua në spital në gjendje të rëndë, por ndërroi jetë pak minuta më vonë. Ndërsa Zaimi u ndalua në moment nga kolegët e tij të Komisariatit Nr.3 dhe u arrestua.