Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i sugjeroi Bullgarisë që të kërkojë që Kryeministri Edi Rama të kryejë testin e drogës.

“Duke i kërkuar edhe njëherë ndjesë qeverisë bullgarë, i bëj thirrje ta hedhë në gjyq për shpifje, sepse ky është një shpifës kongjenital. Thirrja e dytë miqësore për ta, që të kërkojnë testin e drogës, sepse një njeri i tillë mund të ndërmarrë një sulm ndaj një vendi mik dhe aleat me një marrëdhënie të shkëlqyer mes kombeve dhe vendeve siç bën ai”, tha Berisha në mbledhjen e kryesisë së partisë, duke komentuar debatin e një dite më parë në distancë mes Ramës dhe qeverisë bullgare.

“Rama po bën gjithçka që të bllokojë negociatat me BE-në. Sulmi dhe lufta e ftohtë që i ka shpallur Sofjes, një vend mik Bullgaria, dhe e sulmon brutalisht. Në Tiranë ka qenë një personazh që quhej Saçi. Ai kalonte rrugëve. Unë ju garantoj se Saçi do përfaqësonte me më shumë dinjitet Shqipërinë në çdo samit se Edi Rama. Si mund të sulmosh një vend, duke thënë se ka tetë vite që na bllokoi Bullgaria?”.

Bullgaria reagoi të mërkurën pas fjalimit të Ramës në Samitin e Bledit në Slloveni, duke e akuzuar për deklarata antibullgare.

Kryeministri reagoi duke thënë se kishte shprehur aty të njëjtin qëndrim si në Samitin e BE-së në qershor, ku Bullgaria nuk hoqi veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duke bllokuar nisjen e negociatave. Procesi do të merrte dritën jeshile disa ditë më pas, kur Sofja dhe Shkupi arritën një marrëveshje për pikat ku ndaheshin.