Gjatë një konference me gazetarët Sali Berisha është shprehur se Rama e tregoi fytyrën e tij të vërtetë dhe të pamëshirshëm ndaj shqiptarëve. Sipas tij rritja e energjisë do godasë rëndë shtresën e mesme, mjekët, inxhinierët, biznesi i vogël.

“Vetëm dje, Edi Rama dhe qeveria e tij tregoi fytyrën e tij të vërtetë dhe të pamëshirë ndaj shqiptarëve.

Ai paraqiti një paketë ndihmëse prej 50 milionë Eurosh, ndërkohë që ka fituar 400 milionë Euro nga rritja e çmimeve.

Ai vendos më shumë për luksin e tij, vendos më shumë, shumë më tepër, për klientelën e tij.

Jo vetëm kaq, por dje ai njoftoi rritjen e çmimeve të energjisë për ata që konsumojnë mbi 800 kilovat.

Tani unë u jap një shifër ju, se këta gënjejnë nga mëngjesi deri në darkë. Regjistrimi i vitit 2011, tregonte se 340 mijë familje shqiptare kishin më shumë se një banesë. Tani kjo përqindje është më e lartë. Tani ky do i gjobisë në mënyrë cinike, të pashpirt.

Po kush goditet me këtë? Goditet shtresa e mesme, goditen mjekët, inxhinierët, biznesi i vogël. Këta nuk e përballojnë dot më jetën. Këta detyrohen të largohen. Dhe mbetet Rama dhe oligarkët e tij dhe njerëzit që ai i varfëron.

Dje kisha një të ri, që kishte ardhur nga Italia para disa vitesh. U trishtova. Më tha se po shes ato dy biznese në një fushë shumë interesante, sepse këtu nuk mund të shtyhet më. Ka shkatërruar mjedisin e biznesit.

Njoftoi dje se rritet me 42 Lekë kilovati për ata që shpenzojnë mbi 800 kilovatë. Do të thotë se rritet 4.4 herë. Ne nuk kemi të drejtë të bëjmë krahasime me Zvicrën, Gjermaninë dhe Francën.

Por a kemi të drejtë të bëjmë krahasime me Kosovën, me Maqedoninë? 8 vite më parë e kishim rrogën mesatare mbi 20% më të lartë se Kosova dhe Maqedonia”, tha Berisha.