Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me dhomat e biznesit theksoi se ndërveprimi i qeverisë me biznesin do të jetë dinamik. Ai u shpreh se kërkon që të ndërtohet një format dialogu sistematik mes biznesit dhe institucioneve.

Megjithatë, kreu i qeverisë u shpreh se anketimet dhe raportet për klimën e biznesit janë jo profesionale. Sipas Ramës, raportet nuk mund të jenë njësoj si përpara se të vendosej që pjesa më e madhe e shërbimeve të lëshohen në mënyrë elektronike.

“Është e pamundur që të vazhdojmë të jemi pre e anketave që janë joprofesionale dhe që faktikisht cënojnë punën tonë të përbashkët, cënojnë imazhin e këtij vendi dhe cënojnë vetë klimën e biznesit vetvetiu. Është e pamundur kjo. Nuk mund të jemi pre e opinioneve të mbledhura rrugëve dhe e opinioneve të përpunuara në mënyrë krejtësisht kaotike dhe nuk mund të jemi pre e kanaleve që përçojnë në mënyrë të vazhdueshme opinione që nuk përputhen me realitetin. Nuk ka asgjë për të ngjyrosur me rozë në realitet, por ama që sot janë dita me natën shumë nga ndërveprimet mes biznesit dhe institucionit që sot është dita me natën jeta e një importuesi, jeta e një eksportuesi, jeta e një sipërmarrësi, që i ka shumë më të pakta hallet që kishte dje për shkak të këtyre ndërveprimeve është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme që kjo mos të pasqyrohet. Ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet dhe do të vazhdojmë të bëjmë dhe më shumë përpjekje për të krijuar një ndërveprim sa më dinamik dhe transparent me biznesin. Na takon të kërkojmë nga të gjitha dhomat e biznesit që përgatisin raporte të klimës që të jenë më të përgjegjshëm në mënyrën si i përgatisin ato raporte. Jo sepse dua unë, por sepse është e pamundur që Shqipëria nëpër raporte të dalë njësoj siç njësoj kur kishte radha kilometrike në sportele, siç kur kishte kontrolle ditë natë nëpër biznese, siç kur kishte prita nëpër dogana dhe pika kufitare, siç kur kishte rimbursime tvsh komplet arbitrare dhe sot të gjitha këto nuk ekzistojnë, janë kthyer në ndërveprime pa prani fizike nga askush nga shtetit. Si qenkan që janë njësoj? Dalin njësoj nga arbitrariteti dhe brutaliteti i atyre që flasin pa lidhje dhe anketime që bëhen në mënyrë joprofesionale”, u shpreh Rama.