“Nëse Rusia vendos të pushtojë Ukrainën, NATO dhe aleatët do të jenë gati”. Ishte ky mesazhi indirekt i Presidentit Joe Biden dhe Kancelarit gjerman Olaf Scholz gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë, duke treguar solidaritet në mes të tensioneve.

“Nëse Rusia zgjedh të pushtojë Ukrainën, ne jemi bashkërisht gati dhe e gjithë NATO është gati. Kancelari dhe unë diskutuam për bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe zhvilluam një paketë të fortë sanksionesh që do të demonstrojnë qartë vendosmërinë ndërkombëtare. Ato do të vendosen shpejt dhe do të ketë pasoja të rënda nëse Rusia shkel sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin e saj territorial”, u shpreh Biden.

Nëse Moska lëviz drejt Ukrainës, kreu i Shtëpisë së Bardhë u zotua se do të mbyllë një tubacion kryesor të gazit rus për në Gjermani.

Por, Olaf Scholz ishte më i paqartë për gazsjellësin.

“Siç e thashë tashmë, ne po veprojmë së bashku, jemi absolutisht të bashkuar dhe nuk do të ndërmarrim hapa të ndryshëm, do të bëjmë të njëjtat hapa dhe do të jenë shumë, shumë të vështirë për Rusinë. Ata duhet ta kuptojnë”, tha ai.

Edhe përpara se “Nord Stream 2” të funksiononte, pjesa më e madhe e Evropës është e varur nga furnizimet me energji nga Rusia. Biden ka pohuar se SHBA dhe vendet e tjera mund të ndihmojnë për një “pjesë të konsiderueshme” të furnizimeve të humbura. Në hakmarrje për sanksionet, Rusia mund të ndërpresë furnizimet aktuale për Evropën.