Një bankë e nivelit të dytë në kryeqytet ishte vënë në shënjestër të një grupi grabitësish.

Grupi i grabitësve kishte planifikuar të hynte në bankë nëpërmjet kanaleve të nëndheshme të ujërave të zeza në Bulevardin Zogu i Parë.

Hyrja për në kanalet e nëndheshme për tek banka është rreth 200 metra larg.

Ditën e djeshme forca të shumta policie ushtruan kontrolle në kanalin në Bulevardin Zogu i Parë, por nuk dihet nëse është arritur gjetja e ndonjë materiali që mund te çojë në identifikimin e autorëve.

Autorët nuk janë identifikuar ende, ndërsa policia e kryeqytetit thotë se ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Njoftimi i policisë

Falë reagimit të Policisë, parandalohet tentativa për vjedhje në një bankë të nivelit të dytë, duke përdorur tunele të nëndheshme.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në bulevardin “Zogu I” po kryheshin gërmime, duke përdorur tunele të nëndheshme, me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të një banke të nivelit të dytë, falë reagimit të menjëhershëm, kanë bërë të mundur parandalimin e vjedhjes në bankë.

Shërbimet e Policisë janë duke kryer hetime të thelluara me qëllim identifikimin, kapjen e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim.