Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken deklaron se 13 vende kanë pranuar deri tani të strehojnë, të paktën përkohësisht, refugjatë afganë të evakuuar dhe se të paktën 12 vende kanë pranuar të veprojnë si rrugë tranziti për të evakuuarit, ndër ta amerikanë dhe të tjerë.

Afganët do të strehohen përkohësisht në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Kanada, Kolumbi, Kosta Rika, Kili, Meksikë, Poloni, Katar, Ruandë, Ukrainë dhe Ugandë.

Ndër vendet tranzit përfshihet Bahreini, Danimarka, Gjermania, Italia, Kazakistani, Kuvajti, Katari, Taxhikistani, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Britania dhe Uzbekistani.

“Na ka dhënë zemër fakti që vende të tjera kanë shikuar mundësinë për të ofruar ndihmë. Nuk kemi përparësi më të lartë se sigurinë e shtetasve amerikanë jashtë vendit dhe përmbushjen e premtimit ndaj partnerëve tanë afganë në rrezik”.

Sipas NATO-s më shumë se 18,000 vetë janë evakuuar që kur militantët talebanë morën kryeqytetin e vendit, Kabulin.