Në dhjetor 2018, një burrë i quajtur Alexander Ignjatoviç i telefonoi zyrave të policisë federale në qytetin gjerman Wiesbaden, afër Frankfurtit, dhe kërkoi që ta lidhnin me Departamentin e Krimit Kibernetik.

Ignjatoviç, i cili ka lindur në Gjermani, por ishte me origjinë serbe, i tha policisë se ai kishte informacione mbi një operacion mashtrimi prej miliona eurosh nga që po kryhej nga qendra call center në Beograd dhe Sofje dhe se ai ishte i gatshëm të tregonte gjithçka në këmbim të mbrojtjes për të dhe familjen e tij.

Dy muaj më vonë, ai hyri në portat e ambasadës gjermane në Beograd dhe në korrik ai dha një deklaratë për policinë në Gjermani e cila ishte rreth 50 faqe e gjatë.

Më 11 shkurt të këtij viti, Ignjatoviç u gjet i vdekur në një dhomë hoteli në Sofje vetëm disa muaj para se të dilte si një dëshmitar kryesor i prokurorisë në gjyqin e izraelitit të akuzuar për organizimin e mashtrimit. Autoritetet bullgare thanë se Ignjatoviç vdiq nga një problem në zemër. Ai ishte 34 vjeç.

Megjithatë, dëshmia e tij ndihmoi për t’i vënë kapakun një mashtrimi për të cilin hetuesit thonë se u mashtruan dhjetëra mijëra njerëz në të gjithë Europën Perëndimore dhe për një vlerë që arrin të paktën në 200 milionë euro. Ata i mashtruan këta njerëz që të dorëzonin kursimet e tyre duke i bërë të mendonin se po tregtonin në monedha të huaja.

Në shtator të këtij viti, një gjykatë në Vjenë e shpalli kreun izraelit, 33-vjeçarin Gal Barak, fajtor për mashtrim dhe pastrim parash dhe e dënoi atë me katër vjet burg.

Megjithatë ndërsa policia në Austri dhe gjetkë në Europën Perëndimore kaloi disa vjet duke hetuar çështjen, mbetet e paqartë nëse autoritetet në Serbi dhe Bullgari kanë bërë të njëjtën gjë, duke nxitur dyshimin tek disa se operacioni në shkallë të gjerë – duke përfshirë dhjetëra qendra call center dhe qindra punonjës – gëzonin mbrojtje nga disa elementë të shtetit. Një nga punonjëset më të vjetra lokale të Barak-ut i tha BIRN se ajo nuk ishte kontaktuar nga policia.

“Marrja e lejeve për të hapur këtë lloj biznesi është njësoj si të hapësh një bankë”, tha pronari i një tjetër call center në Beograd i cili foli në kushte anonimiteti.

Një tjetër person, i cili e njihte këtë çështje, tha për BIRN: “Një punë që përfshin qindra miliona euro para të fituara në mënyrë të paligjshme nuk mund të kryhet pa mbrojtjen e dikujt. Kjo është një punë që nuk mund të mbetet pa u vënë re.”

Para të lehta

Gal Barak, 33-vjeçari izraelit që fshihej pas skemës së mashtrimit.

Call Center-at janë një biznes në rritje në Beograd, ku janë punësuar shumë të rinj serbë që flasin anglisht dhe IT, por pagat janë shumë më të ulëta se në pjesën tjetër të Europës.

“Po kërkoja punë”, i tha Ignjatoviç policisë gjermane në korrik 2019, sipas një transkriptimi të deklaratës së tij të siguruar nga BIRN. “Një mik më telefonoi dhe më tha: ‘Eja, mund të fitosh para lehtë këtu.’” Ishte fillimi i vitit 2018.

Në të vërtetë, puna dukej e thjeshtë. Telefonoje kryesisht qytetarë të moshuar të Gjermanisë, Austrisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe shteteve të tjera të Europës Perëndimore dhe duke i bindur ata ‘të investonin’ në tregtinë e monedhave të huaja në internet. Megjithatë, tregtia ishte një mashtrim dhe Barak po i fuste paratë në xhep.

Barak e hapi call center-in e parë në vitin 201,  jo shumë larg selisë në Tel Aviv të shërbimit inteligjent izraelit, Mossad.

Kur Izraeli shtrëngoi legjislacionin për të goditur mashtrimet, Barak e ktheu vëmendjen e tij në Ballkan, duke hapur kompaninë “Cactus Marketing” – të cilës iu bashkua Ignjatoviç –  në katin e katërt të Hotelit “Zira” në Beograd në shtator 2017. Ai punësoi Katarina Kojiç si drejtoreshë.

“Mua puna m’u prezantua si një lloj kazinoje, ku paratë humben dhe fitohen dhe mbështetesh kryesisht te lakmia e njeriut”, tha Kojiç për BIRN.

Kojiç tha se vitin që u punësua nga Barak, ajo kishte dhënë pesë intervista të tjera pune në call center-a të tjerë.

“Në një moment në Beograd, qindra njerëz po bënin këtë punë. Kryesisht të rinj që flasin anglisht ose gjermanisht ”, tha ajo. “Cactus Marketing” punësoi 120 vetë, ndërsa Ignjatoviç i tha policisë se në atë kohë kishte afërsisht 15 qendra call center  – të ligjshme ose jo – që operonin në Beograd dhe dhjetëra në Sofje.

Në “Cactus Marketing”, të punësuarve të rinj iu kërkua të shikonin filmin e Martin Scorsese të vitit 2003 “Ujku i Uoll Stritit”, bazuar në kujtimet e agjentit të bursës dhe mashtruesit të dënuar Jordan Belfort, i tha policisë gjermane Ignjatoviç.

Çdo mëngjes, agjentët do të merrnin listat e 200-500 personave që duhej të telefononin, përfshirë numrat e telefonit, adresat e postës elektronike dhe informacionet për hobet dhe pasionet e tyre të mbledhura nga postimet e tyre nëpër rrjetet sociale. Ata që pranonin të investonin, transferoheshin te “agjentët e mbajtjes”, që kishin për detyrë t’u merrnin paratë. Shumica filluan me pagesa prej 250-300 euro, por shumat u rritën.

Platforma e tregtimit që i tregohej klientëve ishte një mashtrim, thanë prokurorët austriakë. Paratë derdheshin në llogaritë e kompanive të rreme dhe më pas kalonin përmes një rrjeti kompleks pastrimi parash që përfshin Europën.

Një agjent konvertimi në “Cactus” kishte një pagë bazë midis 560 dhe 800 euro, afërsisht dyfishi i pagës mesatare në Serbi, por mund të fitonte deri në 1,000 euro falë shpërblimeve. “Agjentët e mbajtjes” fitonin një pagë fikse prej 850-1,000 euro, plus komisionet për shumat që paguanin klientët – nga tre për qind nëse një klient paguante të paktën 50,000 euro në një muaj, në shtatë për qind nëse klientët paguanin të paktën 350,000 euro.

Ignjatoviç filloi punë në “Cactus”, por u transferua në një call center tjetër të drejtuar nga Izraeli ku ai kishte një pagë bazë prej 2,000 euro plus bonuse. Ai i tha policisë se disa nga bashkëpunëtorët e tij fitonin nga 20,000 dhe 40,000 euro në muaj.

Sipas Ignjatoviçit, agjentët që bënin bisedat fillestare nuk e dinin që ishin të përfshirë në një mashtrim, ndryshe nga agjentët e mbajtjes që urdhëroheshin “të merrnin sa më shumë para që mundeshin”. Kontakti midis dy departamenteve ishte i ndaluar, ndërsa ankesat e klientëve filtroheshin në një departament “menaxhimi rreziku” në Sofje. Flitej vetëm anglisht.

“Nuk duhej të tregonim se nga telefononim”, tha Ignjatoviç. “Klientët duhet të besonin se po u telefononim nga Londra ose Gjeneva.”

Sipas deklaratës së Ignjatoviçit, punonjësit e merrnin shumicën e pagës së tyre në dorë, e cila u shpërndahej me zarfe nga Kojiç. Kojiç e konfirmoi këtë.

Kojiç i tha BIRN se ajo nuk e dinte që call center-i në të cilën ajo ishte drejtoreshë ishte përfshirë në mashtrim.

“Nuk isha në dijeni të ndonjë mashtrimi”, tha Kojiç. “Po ta kisha dëgjuar, nuk do të kisha qëndruar.”

Aktakuza austriake tha se të paktën 1,896 shtetas austriakë u mashtruan për të paktën 2.6 milion euro, por që hetuesit kishin prova për 1,772 viktima të tjera që humbën të paktën një milion euro. Të dhënat e gjetura në dokumentet e konfiskuara sugjerojnë që mashtrimi në të gjithë Europën kishte arritur në një total prek më shumë se 200 milion eurosh.

“Deri më tani, nuk është identifikuar asnjë viktimë austriake që të mund të ketë fituar apo që t’i jetë paguar ai fitim”, tha ajo.

Viktimat

BIRN kontaktoi më shumë se 50 viktima të përmendura në aktakuzën austriake, por askush nuk u përgjigj.

“Duke qenë se viktimat kanë shumë përvoja të këqija dhe vazhdojnë t’i shqetësojnë ende me telefonata dhe emaile të ftohta, ata tregohen shumë të kujdesshëm dhe nuk i besojnë askujt”, tha Elfriede Sixt, bashkëthemeluese e Iniciativës për Rimëkëmbjen e Fondit Europian, EFRI, e cila mbështet viktimat e krimit kibernetik dhe mashtrimeve dhe kërkon të rimbursojë paratë e humbura në mashtrime. EFRI më vonë e ndihmoi BIRN-in të mund të kontaktonte me disa viktima.

John Potter, një pensionist në Leicester, Britani, i tha BIRN se ai mori një hua prej 50,000 paundësh në vitin 2018 pasi u kontaktua nga një call center që operohej nga Barak, nga një person që i ishte prezantuar si ndërmjetës. Pas premtimeve të sigurta se kursimet e tij do të shtoheshin, Porter shpejt humbi gjithçka.

“Më thanë se kishte pasur një sulm nga një haker nga Kina dhe se të gjitha fondet ishin humbur”, tha Potter.

“Në momentin që kuptova se i kisha humbur të gjitha paratë dhe që s’do t’i merrja dot më kurrë mbrapsht, u ndjeva krejtësisht i shkatërruar dhe i pafuqishëm.”

“Po të më kishin futur në të njëjtën dhomë me këta mashtrues tani dhe të më jepnin një armë, do t’i vrisja pa ndonjë problem dhe me ndërgjegje të pastër.”

Mia Lucie, një psikologe në Londër, tha se ajo dhe një mikeshë e saj kishin rënë gjithashtu viktimë e mashtruesve.

“Unë humba nja dy mijë euro, por kur shoqja ime nuk kishte më para, ajo mori një hua për të paguar më shumë”, tha Lucie për BIRN.

“Mendon se po vë bast për rritjen ose uljen e vlerës së një monedhe të huaj, por në fakt je vazhdimisht pjesë e një mashtrimi dhe ajo që ju prezantohet si tregti, në të vërtetë është një mashtrim dhe pronarët e kësaj platforme kontrollojnë gjithçka – paratë që ti investon, uljen dhe ngritjen e çmimit, gjithçka.”

“Ata ishin tepër të aftë. Silleshin në mënyrë jashtëzakonisht miqësore.”

Seks, drogë dhe alkool

Shtatë muaj pas hapjes, “Cactus Marketing” u mbyll në mars 2018 dhe punonjësve të saj iu ofruan pozicione të përkohshme në Sofje në “E&G Finances”, gjithashtu e drejtuar nga Barak.

Punëtorët serbë u strehuan në Hotel Dragalevtsi, i cili ka një pishinë, sauna dhe palestër dhe ndodhet afërsisht shtatë kilometra larg zyrave të “E&G Finances”. Ignjatoviç përshkroi një jetë, jo ndryshe nga ajo që bënte personazhi i Leonardo Dicaprio në “Ujku i Uoll Stritit” – alkool, drogë, seks dhe mashtrime me shuma të mëdha parash.

“Zyrat dhe hoteli ishin si një xhungël”, u tha Ignjatoviç hetuesve gjermanë.

“Gjatë gjithë kohës kishte muzikë të zhurmshme, pije, konsumohej drogë dhe nganjëherë kishte edhe prostituta. E&G kishte një shpërndarës të brendshëm. Nga ai mund të blije gjithçka, për shembull, kokainë ose hashash. Ai më tha: ‘Çfarëdo që të të nevojitet, ta gjej unë. Gjëja më e rëndësishme është që ju të punoni.’”

Megjithatë, rreth tre muaj më vonë, stafi serb u zhvendos përsëri në Beograd, ku Barak kishte hapur “My Markets”, që ndodhej në qendrën e biznesit VIG Plaza, në lagjen Beogradi i Ri. Përsëri, edhe këtu Kojiç ishte drejtoreshë.

“Edhe aty kishte shumë alkool dhe drogë”, tha Ignjatoviç. Pagat në fillim paguheshin me para në dorë dhe më pas ekskluzivisht në kriptomonedhë.

Ignjatoviç qëndroi vetëm disa javë para se të transferohej në disa call center-a të tjera të drejtuara nga Izraeli që nuk kishin lidhje me Barakun. Njëra prej kompanive ishte në pronësi të një izraeliti për të cilin Ignjatoviç tha se quhej “Michael”, duke e përshkruar si një tullac me një mjekër të shkurtër ngjyrë të kuqërremtë, i lindur në Ukrainë dhe që fliste rrjedhshëm në anglisht, rusisht dhe hebraisht. “Ai kishte një makinë BMË ngjyrë floriri dhe me targa gjermane”, i tha Ignjatoviç policisë.

Serbia nuk e ka kryer hetimin e saj në këtë rast, sipas gjetjeve të BIRN, sepse asnjë qytetar serb nuk ishte në mesin e viktimave. Policia serbe nuk u përgjigj kur u pyet nëse një hetim ishte në proces, por Kojiç, e cila ishte drejtoreshë e “Cactus Marketing”, tha se ajo nuk ishte kontaktuar nga autoritetet.

“Policia serbe nuk më ka bërë asnjë pyetje. Askush nuk më ka marrë në pyetje dhe nuk po fsheh asgjë.”

Hapi i vetëm që dihet se është ndërmarrë nga autoritetet serbe erdhi në prill të këtij viti, kur policia, me një kërkesë të Europol, arrestoi pesë persona që punonin për Barakun. Ata u identifikuan vetëm nga inicialet dhe moshat e tyre – 37-vjeçari Z.M., 36-vjeçari M.B., 31-vjeçari F.I., 49-vjeçari S.S. dhe 26-vjeçari A. Dj. Katër të tjerë u arrestuan në Bullgari në të njëjtën ditë.

Blloku “i humbur” i Ignjatoviçit

Aleksandar Ignjatoviç. Foto kortezi e familjes së tij.

Ignjatoviç shkoi dy herë në Ambasadën Gjermane në Beograd në shkurt 2019, duke takuar një oficer ndërlidhës të cilit i tregoi një bllok në të cilin ai kishte shkruar data të rëndësishme, ngjarje dhe vëzhgime që mund të përdoren si prova.

“Ai më pyeti nëse isha gati të jepja një deklaratë dhe nëse do të shkoja në Gjermani për këtë gjë. Unë thashë po”, u tha më vonë Ignjatoviç hetuesve.

Policisë gjermane iu deshën dy ditë – 15 dhe 16 korrik 2019 – për të rrëzuar deklaratën e tij, e cila e shtypur ishte rreth 50 faqe. Kur u pyet nëse e kishte ende bllokun që i kishte treguar diplomatit gjerman, Ignjatoviç tha se ai kishte shkuar në Sofje dhe se kur ishte kthyer në Beograd nuk e kishte gjetur më.

Deri në momentin që deklarata e Ignjatoviçit u prezantua në gjyqin e Barakut më 26 gusht, nuk dihej publikisht që ai ishte dëshmitari kryesor i prokurorisë. Në atë kohë, ai tashmë kishte vdekur, por dëshmia e tij para hetuesve ishte shtylla kurrizore e çështjes së prokurorisë.

Ignjatoviç udhëtoi përsëri në Sofje në fund të janarit 2020. Të afërmit, të cilët kërkuan të mos përmenden me emër, e përshkruan atë si optimist para nisjes së tij, duke besuar se ai po niste një fillim të ri.

Trupi i tij i pajetë u gjet në një dhomë hoteli në Sofje më 11 shkurt. Familja e tij tha se raporti i autopsisë e përshkroi shkakun e vdekjes si infarkt në zemër, por nuk u lenuan të merrnin një kopje të raportit.

BIRN u përpoq të merrte raportin e autopsisë dhe të zbulonte nëse policia po hetonte vdekjen e Ignjatoviçit, por as policia dhe as prokuroria publike nuk u përgjigjën.

Avokati: “Nuk kam asgjë për të fshehur”

Sipas aktakuzës austriake, përveç Beogradit dhe Sofjes, Barak operonte në call center-a në Sarajevë, Prishtinë, Tbilisi në Gjeorgji dhe në Kiev.

Partneri kryesor i biznesit i Barakut ishte Uëe Lenhoff, i cili u paraqit si një biznesmen i suksesshëm gjerman i përfshirë në bastet sportive.

Ashtu si Barak, Lenhoff u arrestua në janar 2019 dhe u ekstradua në Austri në fund të atij viti. Ai vdiq papritmas ndërsa ishte në paraburgim në maj të vitit 2020, në moshën 55 vjeçare.

Avokati Marko Vujoseviç u takua me ata të dy në janar 2017 në Beograd, ku ata i thanë se dëshironin t’i zhvendosnin bizneset e tyre nga Bullgaria anëtare e BE-së në republikat jo anëtare të BE-së, në Serbi dhe në Mal të Zi për arsye taksash.

Sipas aktakuzës austriake, një firmë me bazë në Podgoricë e quajtur “GPS Company”, e bashkë-themeluar nga Vujoseviç, pastronte para në emër të Barakut. Vujoseviç e mohoi akuzën, duke i thënë BIRN: “Unë hapa kompaninë në emër të Gal Barak dhe Uwe Lenhoff. Kjo është ajo që unë bëj në 99 për qind të rasteve kur klienti nuk dëshiron të ekspozohet. Avokatët krijojnë kompani në emrin e tyre.”

Vujoseviç tha se “GPS Company” fitoi 23 milion euro në hapësirën e një viti, por se ai nuk ishte në dijeni të asaj në të cilën ishin të përfshirë Barak dhe Lenhoff.

“Unë i pyeta se çfarë po bënin. Ata ma shpjeguan, por dukej sikur po të shpjegonin se po merreshe me teknologji raketash. Ishte diçka shumë e panjohur për mua. Nuk kisha dëgjuar kurrë për opsione binare dhe Forex.”

Lazar Hoppl, një mik i Vujoseviçit i cili ishte gjithashtu i përfshirë në trajtimin e çështjeve ligjore të Barakut dhe Lenhoff, nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Pas disa muajsh punë, Vujoseviç tha se nga klientët filluan të vinin ankesa dhe se ata kërkonin rimbursime.

“Njerëzit filluan të kërkonin t’u ktheheshin fondet që ata kishin paguar. Kërkova një takim në zyrën time më 4 dhjetor 2017 dhe i pyeta hapur Barakun dhe Lenhoff nëse kjo punë ishte një mashtrim”, tha Vujoseviç për BIRN.

“Ata u përpoqën të më bindnin se nuk ishte kështu. Atëherë u thashë se nuk kishim asnjë arsye pse të mos ua kthenim paratë njerëve dhe kjo gjë u bë. Ishte një total prej disa qindra mijë euro.”

Lenhoff i tha policisë austriake se ai u takua me Vujoseviçin ndërsa po përpiqej të merrte një licencë për bastet sportive në Serbi dhe iu tha se avokati gjithashtu kishte kontakte të mira politike në Malin e Zi fqinj.

Vujosevic tha se ai ua kishte dorëzuar “të gjitha dokumentet” autoriteteve austriake. “Nuk kam asgjë për të fshehur”, i tha ai BIRN. “Asgjë në ato letra nuk më inkriminon.”

Barak u arrestua më 30 janar 2019, me një urdhër arresti të BE-së ndërsa përpiqej të kalonte kufirin bullgar me Serbinë. Hetuesit austriakë kishin kohë që merreshin me çështjen e tij dhe Ignjatoviç ishte gati të dorëzonte informacionet e tij të brendshme.

Werner Boehm, i cili heton krimin kibernetik dhe mashtrimet financiare për faqen e internetit Fintelegram, u takua disa herë me Vujoseviçin dhe Hoppl në Beograd. Në shënimet e bëra pas një takimi të 24 qershorit në 2019 dhe të para nga BIRN, Boehm përshkroi masat e sigurisë të marra nga avokatët, të cilët duket se kishin frikë për sigurinë e tyre pesë muaj pas arrestimit të Barak.

“Ardhja në Beograd, takimet dhe drekat shoqëroheshin gjithmonë nga dy ose tre roja sigurie”, shkroi Boehm, “Në restorant, njerëzit e sigurimit uleshin në tavolinën ngjitur dhe na shoqëronin deri në derën e tualetit.”

I akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash në korrik 2020, Barak pretendoi pafajësi, por në shtator u dënua me katër vjet burg.

Gjatë gjyqit të tij, Barak e përshkroi biznesin e tij si një qendër bastesh dhe pretendoi se klientët e tij e dinin në çfarë po përfshiheshin.

“Tregtia është bast”, u tha ai hetuesve, “dhe bastet janë tregti.”/Birn