Shifrat e të prekurve me Covid-19 janë rritur ndjeshëm por autoritetet thonë se jemi larg imunizimit të turmës. Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi tha se skenari më optimist për imunizimin e popullatës nga nisja e vaksinës është marsi i viti të ardhshëm.

“Skenari më optimist është 14 muaj nga fillimi që do të thotë marsi i vitit 2022. Skenari i dytë është 18 muaj dhe skenari më afatgjatë është 24 muaj, pra dy vjet”, tha Brataj.

Brataj hodhi poshtë edhe studimin e Akademisë së Shkencave mbi arritjen e imunitetit të popullatës në kryeqytet.

“Po të ishte arritur do të ishte shumë e thjeshtë s’do të kishim këto të dhëna sot. Është për tu lavdëruar puna për një kërkim shkencor por numrat janë shumë… 800 veta është 0.08% e numrit të popullsisë të kryeqytetit, dmth është një gjë e pjesshme. Po të ishte që në dhjetor 50% sot do të ishim 60%. Nuk qëndron”, tha Brataj në Përballë.

Brataj sqaroi gjithashtu në Përballë se përse ky dimër s’ka shënuar raste të gripit sezonal.

“Nuk kemi raste, mesa di nuk ka të sëmurë me grip. Sepse veç faktit të mbrojtjes nga masat dhe maska është dhe fakti që ndoshta dominon koronavirusi dhe nuk ka fuqi që vet koronaviruser ose shtamet e Sars Cov-2 nuk kanë fuqi sepse kanë një komandant si mund të thuash më të fuqishëm mbi vete që mbizotëron ose përhapja e atij infeksioni bëhet më shpejt. Kështu që nuk i jep mundësi edhe virusit të gripit që të shkaktojë probleme”, theksoi Brataj.