Deri sot në mesnatë pritet të dorëzohen listat zgjedhore të partive që janë regjistruar për të qenë pjesë e garës së 25 prillit. Brenda kampit socialist, por edhe të opozitës, shumë pak emra janë zbuluar nga vetë kryeministri Rama, por edhe kryetari i opozitës së bashkuar Basha, kryesisht drejtuesit e fushatës në qarqe. Ditët e fundit disa deputetë kanë bërë publik vendimin për të hequr dorë vullnetarisht nga rikandimimi, ndërsa janë mësuar edhe të rinjtë, që garojnë për herë të parë më 25 prill, si Çomo apo Bozo. Një ditë më parë, ish-deputeti Alfred Peza njoftoi se nuk do të bëhet pjesë e ekipit të Partisë Socialiste, i cili falenderoi kryeministrin Rama me të cilin thotë se ka patur një takim, por ka refuzuar propozimin. Ndërsa në kampin opozitar, ish-deputeti Eduard Halimi u caktua koordinator politik i kryetarit demokrat. Në një postim në rrjetet sociale Eduart Halimi shprehet se nuk mund të refuzonte ftesën e Bashës, pasi e thirri për të shërbyer në familjen e tij politike. Ai thotë se nuk do të jetë deputet, por i bën thirrje kujtdo që të bashkohet për t’i shërbyer PD-së.

Kim: Kandidatë të pastër, shpresoj që liderët të kenë kuptuar mesazhin e SHBA

Ambasadorja Yuri Kim ka shpërndarë në rrjetet sociale një postim zyrtar që përkon me afatin e fundit për paraqitjen e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Ambasadorja nënvizon edhe një herë që “SHBA ka qenë shumë e qartë mbi përgjegjësinë e liderëve për të siguruar kandidatë të pastër, përfshi në lidhje me ligjet e Shqipërisë dhe përcaktimet e bëra nga Sekretari i Shtetit i SHBA”. Kim vijon duke thënë se “listat që do të dërgohen nesër nga partitë do të na tregojnë nëse liderët shqiptarë e kanë kuptuar mesazhin tonë, që janë të përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE dhe janë të vullnetshëm të marrin vendime të vështira për të siguruar një të ardhme më demokratike dhe të begatë për Shqipërinë”. “Do t’u kërkojmë llogari udhëheqësve, dhe do të mbështesim KQZ-në në shqyrtimin e listave të kandidateve”, përfundoi ambasadorja.

Mbi 116 milionë të infektuar në të gjithë botën

Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur se numri i personave pozitivë me Covid-19 në mbarë  botën i ka kaluar 116 milionë këtë të diel, ndërsa numri i viktimave i ka kaluar 2,58 milionë. Po në rang global, sipas OBSH janë kryer mbi 249 milionë doza vaksinash. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në vend të parë me 28 milionë të infektuar me Covid dhe për numrin e lartë të të vdekurve, mbi 519 mijë. Pas SHBA, renditet India dhe Brazili. Shtetet me më shumë se 2 milionë të infektuar përfshijnë Rusinë, Britaninë, Francën, Spanjën, Italia, Turqinë, Gjermania, Kolumbia dhe Argjentina.

Ditë historike për robotin “Perservance” të NASA-s

Ditë historike për robotin “Perservance” të NASA-s. Makineria bëri lëvizjet e para në Mars, duke udhëtuar 6,5 metra. I gjithë testi zgjati rreth 33 minuta. Roboti eci fillimisht para, e më pas u kthye majtas dhe u ndalua në vendqëndrimin e ri në planetin e kuq. Inxhinierët e NASA-s thanë sa 6 gomat e makinerisë u përgjigjën në mënyrë perfekte. Që prej ulje historike roveri ka arritur të xhirojë imazhe mahnitëse të planetit të kuq. “Perservance” do të shpenzojë dy vite duke qarkulluar në Mars në kërkim të shenjave për jetë të mëparshme mbi terrenin që aktualisht konsiderohet i shkretuar.

“Zbrazet” Megha-n, intervista pushton mediat

Ne një intervistë, që pushtoi mediat dhe rrjetet sociale, me një audiencë historike, Harry dhe Meghan treguan të vërtetën e tyre pas vendimit për të hequr dorë nga titujt dhe familja mbretërore. Shumë e cilësuan një intervistë të vërtetë, të tjera bombastike, por pati edhe nga ata që ironizuar qëndrimin e dukeshës së Susex, Meghan Markle, duke e cilësuar atë një aktore shumë të mirë dhe gati për një nominim për Oskar. Ajo çka Meghan rrëfeu në intervistën për Oprah UInfrey, ishte shqetësimi i saj për të birin Archie. Ajo tha se përpara se Archie të lindte, edhe brenda familjes mbretërore, kishte dyshime e thashetheme për ngjyrën e tij të lëkurës apo përse atij nuk i takonte titulli Princ. Meghan po ashtu e mohoi lajmin e publikuar në një të përditshme britanike, sipas së cilës ajo e bëri Kate të qajë, në ditën e saj të dasmës. Sipas Meghan, ndodhi krejt e kundërta. “Kate më bëri për të qarë dhe kjo më lëndoi vërtet shumë dhe shkak u bë një fustan me lule”, por thjesht kaq rrëfen më tej Meghan. Po ashtu, aktorja amerikane thotë se ishte shumë naive përpara dasmës dhe fill pas saj, e kuptoi se me kë po martohej, por edhe çfarë e priste pas asaj ceremonie. Në intervistë, vetë princi Harry tha se ende sot ka marrëdhënie të shkëlqyera me Mbretëreshën, me të cilën flet vazhdimisht, pavarësisht vendimit për të hequr dorë nga familja mbretërore e për të vijuar jetën në SHBA.

Papa vijon vizitën në Irak

Papa Francesku vijon vizitën, në ditën e katërt të vizitës së tij historike në Irak, ndërsa mediat shfaqin pamjet të jashtëzakonshme, në pritje të atit të shenjtë. Gjatë të dielës, papa vizitoi qytetet e Erbilit, Mosulit dhe Karakoshit, ku bëri thirrje për vëllazëri, shpresë dhe paqe. Gjatë të dielës, Papa u takua me presidentin dhe kryeministrin e rajonit autonom të Kurdistanit në Irak, sikurse edhe me civilë dhe autoritete fetare. Nga Erbili, papa Françesku udhëtoi drejt Mosulit, në qytetin që vitet e fundit është shkatërruar thuajse tërësisht nga sulmet e ISIS, atje ku u lut për paqe për viktimat e luftës në Irak, e kudo tjetër në Lindjen e Mesme. E diela u mbyll me një meshë madhështore po në Erbil, në prani të më shumë se 10 mijë besimtarëve.

Martohet MacKenzie Scott, nga Bezos te mësuesi i shkencave

Miliarderja MacKenzie Scott është martuar me një mësuese shkencash në shkollën e fëmijëve të saj, dy vjet pas divorcit me themeluesin e Amazon, Jeff Bezos. Scott është një nga gratë më të pasura në botë dhe ka dhënë më shumë se 4 miliardë dollarë nga pasuria e saj. “Dan është një djalë kaq i shkëlqyeshëm dhe unë jam i lumtur dhe i ngazëllyer për të dy”, tha Bezos në një deklaratë. Scott, pasuria e së cilës cila vlen rreth 53 miliardë dollarë sipas vlerësimit më të fundit të Forbes, ka deklaruar qëllimin e saj për ta dhënë pjesën më të madhe të saj. Ajo ka kushtuar shumë nga donacionet e saj në organizata bamirëse të drejtuara nga gratë, bankat e ushqimit dhe kolegjet. Zonja Scott ishte e martuar me Z. Bezos për 25 vjet dhe e ndihmoi atë të fillonte Amazon në 1994. Ajo është gjithashtu autore e dy romaneve.