Nga Gjergj ZEFI

 

Turp , turp, turp! Po tani, çfarë do të ndodhë me Parlamentin, demokracinë dhe Shqipërinë e shqiptarëve në udhëkryq?

Edhe i vetmi institucion që të paktën teorikisht duhej të ishte jashtë lojës totalitare të Bablokut sot ka rënë…

Kështjella e fundit, edhe pse de facto prej rëre, e Parlamentit, ajo që, po të ishim një vend demokratik, do të përfaqësonte më shumë se 700 mijë votues, sot u shemb. Edhe pse salla e Parlamentit apo zyrat e Kryesisë së Kuvendit kanë parë shfaqje nga më të pabesueshmet në këto 30 vjet, që nga grevat e urisë e deri tek shpullat e grushtet, kjo e sotmja nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që deputetët të opozitës, pasi kanë shtyrë kangjellat e portës së Kryesisë së Kuvendit, kanë dhënë e marrë me gardistët, në fund, janë kacavjerrë nga dritaret dhe kanë hyrë në ndërtesë.

Koha që po jetojmë do të mbahet mend si demokratura ose demokracia me ‘kokë poshtë’ e Lindita Nikollës…

Fjalimi ngadhnjimtar i Sali Berishës dhe dy gishtat lart, përfundimisht na ka kthyer 30 vjet, në mos më shumë, mbrapa.

Një spektakël i paprecedentë është parë sot nga opozita.

Pa vulë, pa adresë, pa një parti të qartë nën logon e të cilës të mund të bëjë politikë, plaku i ngritur nga varri politik i së djathtës, Sali Berisha, vazhdon të këmbëngulë për të marrë një PD që nuk ekziston dhe të bëjë opozitë shkatërruese. I kapur mat nga ndërkombëtarët, i shpallur non-grata dhe tani edhe i thirrur nga drejtësia shqiptare, Sali Berisha po përdor të gjitha metodat për të mbetur në lojë e njëherësh për t’ju shpëtuar prangave.

Nga ana tjetër, kokëfortësia e Edi Ramës për të mos pranuar asnjë kërkesë të opozitës dhe për të vijuar punën e deputeteve, atyre 100% që ka nën kontrollin e vet, ka hedhur sot në erë të vetmin institucion që, në teori, duhet të ishte jashtë lojës moniste të kësaj qeverie: Parlamentin.

Babloku ka kohë që punon nën rrogoz të shkatërrojë atë që ka mbetur nga opozita dhe e ka thënë publikisht se Shqipëria nuk ka nevojë për opozitë, aq kohë sa të jetë ai në pushtet. Por ky është një tjetër skandal.

Kështu palët i kanë hyrë një lufte vrastare.

I pari, djathtas, do të shpëtojë veten me çdo kusht; i dyti majtas do të shpëtojë veten me çdo kusht.

Po me Shqipërinë çfarë do të ndodhë? Si do të jetë e nesërmja?

Ndërkohë që Lulëzim Basha ka vdekur prej kohësh politikisht, Sali Berisha është ndotur aq shumë, sa tani ka kohën e llogaridhënies. Nuk mbetet më mbrapa as Edi Rama, 10 vjetët e të cilit në pushtet kanë prodhuar aq shumë skandale sa ia bëjnë shumë të thjeshtë lojën mbrojtëse dhe luftën Sali Berishës.

Pasi mori forcë politikisht me opozitën e ‘kërpëratave’ dhe një Kod Zgjedhor që dihej se do t’ia jepte fitoren ne tavolinë në vitin 2021, Kryeministri fluturon krejtësisht jashtë realitetit. Edhe pse ai e ka minuar me shumë sukses atë që sot duhet të ishte ulur në parlament për të bërë oponencën e vendimeve të qeverisë së tij, Babloku ka ende shumë pika të dobëta ku e djathta, jo vetëm mund të kapet, por edhe ta luftojë fort.

Sali Berisha e ka të qartë këtë, prandaj në strategjinë e tij vjeshtore, kërkesat për ndryshimin e përbërjes se Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ngritjen e 2 komisioneve hetimore parlamentare për 4 kontratat koncensionare në shëndetësi, kanë qenë kushti i tij për funksionimin normal të Parlamentit.

Kërkesa që Edi Rama nuk mund t’i pranojë sepse e ka shumë të qartë rrezikun që vjen prej tyre.

Planet e Bablokut kanë qenë që, pasi nuk e nxori dot nga politika si non-grata, Saliun ta çojë në burg. Por unifikimi i 43 deputetëve demokratë ia prishi planet, duke i pështjelluar edhe idetë se si do të reagojë ndaj tyre dhe duke përfunduar në atë spektakël të tmerrshëm që pamë sot: pas vendimit të përjashtimit, dyer të mbyllura të Kryesisë së Kuvendit, përplasje dhe në fund kacavjerrja nga muret e deputetëve për të hyrë në zyrat e tyre. Sali Berisha u shfaq prap si triumfator me dy gishtat lart!

Po i themi turp sepse na ka mbaruar fjalori për këtë politikë të mallkuar, me rrënjët e ngulur thellë në Ferr. Turp, turp, turp!

Po këta turpin e kanë ngrënë me bukë, prandaj shtrohet pyetja: po tani çfarë do të ndodhë?!