Në një konferencë për mediat, në prani të kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe ambasadorit britanik në Tiranë, Rita Ora foli para koncertit të kësaj të marte në sheshin “Skënderbej”.

Ndër të tjera, Rita Ora foli edhe për rastin e rëndë të përdhunimit të 11-vjeçares pak ditë më parë në Kosovë.

Këngëtarja u përlot teksa foli për këtë rast, ndërsa kërkoi që fokusi të jetë më i lartë në trajtimin e këtyre çështjeve.

“Pak kohë më parë ajo që ndodhi në Kosovë na bëri të kujtojmë se sa e rëndësishme është të kemi një fokus në këto çështje të rëndësishme dhe sa e rëndësishme është të punojmë me fëmijët që këto mos të përsëriten. Shpresoj që prindërit dhe e ardhmja e vendit tonë të ndryshojë dhe ndihmojë gratë. Dhe bashkë me burrat të mësojnë për të drejtat e barabarta. Ju dërgoj gjithë respektin dhe dashurinë familjes së 11-vjeçares.

Përveç kësaj, dua t’i ftoj të gjithë të bëhen pjesë e koncertit në shesh dhe të falenderoj Britaninë e Madhe për ndihmën dhe mbështetjen”, u shpreh Rita e përlotur.

Rasti i 11-vjeçares, e cila u përdhunua nga 5 meshkuj për disa orë me radhë, solli protesta në Prishtinë e në Tiranë, ndërsa nxiti reagim të madh edhe nga personazhe të njohur shqiptarë.