Detaje të reja janë zbuluar nga arrestimi i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” 9për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.

Mediat raportojnë se i infiltruar i drejtësisë që ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi me autoritetet, hyri në diskutim me Belerin pesë ditë para arrestimit në pazaret për shit-blerjen e votës.

40 mijë lekë të vjetra janë dhënë për 8 vota, ndërsa mësohet se Fredi Bleri i kishte premtuar bashkëpunëtorit të policisë se nëse do ua blinte votat këtyre 8 personave do t’i jepte 40 mijë lekë për 8 votuesit dhe 30 mijë lekë për atë vetë.

Sipas TCH, për ta bindur personin që bashkëpunoi me drejtësinë i është treguar dhe lista e zgjedhësve që bashkëpunëtori i drejtësisë tha se i kishte gati.

Ndihmësi i Belerit dyshohet se është personi që në vëzhgimet ambientale ia çon paratë bashkëpunëtorit të drejtësisë. Ky i fundit u vonua në takim dhe në një moment ndihmësi e telefonon Belerin duke i treguar se personi nuk gjendej aty.

Beleri shprehet “prit një minutë” dhe më pas bashkëpunëtori i drejtësisë shfaqet në vendtakim për të marrë paratë nga ndihmësi i Belerit. TCH shkruan se sipas dosjes së hetimit rezulton që paratë për tetë vota u dhanë në një WC dhe se ky moment është vetëm me audio dhe jo i filmuar dhe me kamera sikurse takimet e tjera nën vëzhgim nga një grup i Policisë së Shtetit të dërguar nga Tirana.